Connect with us

Lajme

Kurti reagon pas dënimit të krerëve të UÇK: Ndëshkim i madh e i dëmshëm, duhet të ndryshojë e korrigjohet patjetër në Apel

Publikuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Kurti, përmes një videoje të publikuar në Instagram, e ka cilësuar vendimin si “padrejtësi të papranueshme”, duke kundërshtuar dënimet e shqiptuara ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

“Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se aktgjykimi nuk duhet të barazohet me vullnetin e popullit të Kosovës.

“Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit”, është shprehur ai.

Kurti ka kërkuar që aktgjykimi të ndryshohet në shkallën e apelit.

“Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë”, ka thënë kryeministri.

Në fund, Kurti ka shprehur mbështetje për familjet e të dënuarve dhe bashkëluftëtarët e tyre.

“Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve të ish-krerëve të UÇK-së dhe të gjithë bashkëluftëtarëve çlirimtarë”, ka përfunduar ai.

NA NDIQ NË FACEBOOK