Maqedoni
Kriza demografike në Maqedoninë e Veriut po thellohet

Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës tregojnë rënie të lindjeve dhe shtim natyror negativ në pjesën më të madhe të komunave.
Në vitin 2025, për herë të parë numri i fëmijëve të lindur gjallë në vend ra nën 16.000. Tetova dhe Kumanova, dikur komunat e vetme me mbi 1.000 lindje në vit, tashmë kanë rënë nën këtë prag.
Në Tetovë, nga 1.025 lindje në vitin 2021, numri ra në 822 në vitin 2025. Në Kumanovë, nga mbi 1.000 lindje, shifra zbriti në 829. Edhe Struga shënoi rënie, nga 543 lindje në vitin 2021 në 474 në vitin 2025.
Edhe gjysma e parë e vitit 2026 konfirmon trendin. Në tremujorin e dytë u regjistruan 3.684 lindje, 3% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2025, ndërsa shtimi natyror ishte -1.005.
Në Kumanovë, shtimi natyror deri në fund të qershorit ishte -59, ndërsa në Gostivar -58 dhe në Kërçovë -26. Tetova dhe Struga, megjithatë, kaluan në bilanc pozitiv, përkatësisht me +44 dhe +20.
Në komunën e Zërnovcit, ndërkohë, nuk u regjistrua asnjë lindje.
Qeveria ka paralajmëruar Strategjinë për Rezistencën Demografike 2026–2046 dhe masa për mbështetjen e familjeve me fëmijë. Megjithatë, rënia e vazhdueshme e lindjeve tregon se sfida demografike mbetet një nga problemet kryesore të vendit.
















