Shqipëri
Komisioni i Jashtëm i PE: Shqipëria dhe Mali i Zi, pararojë e zgjerimit

Në një seancë të Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian u vlerësuan reformat e integrimit nga Shqipëria dhe Mali i Zi, si shtete pararojë në procesin e zgjerimit.
“Shqipëria dhe Mali i Zi janë njohur si shtetet pararojë të procesit të zgjerimit. Shqipëria ka hapur të gjitha kapitujt negociues dhe ka mbyllur përkohësisht tre kapituj negociues. Mali i Zi është vendi që ka përparuar më shumë me 18 kapituj të mbyllur nga 33 kapituj gjithsej. Procesi i zgjerimit duhet të mbetet, para së gjithash, një instrument i bazuar në meritë, i besueshëm dhe efikas për arritjen e qëllimeve të stabilitetit dhe prosperitetit”, tha eurodeputeti Ioan-Rareş Bogdan.
Protestat në vendin tonë u konsideruan si shenjë e demokracisë.
“Kur bëhet fjalë për protestat, ato i shoh si një pjekuri të demokracisë sonë, një provë për udhëheqjen tonë për të dëgjuar dhe për të artikuluar përgjigjet. Do të shohim nëse ndryshimet institucionale janë të mjaftueshme për të siguruar që problemet po adresohen në të vërtetë dhe nëse qytetarët marrin përgjigje për shqetësimet e tyre nga institucionet”, u shpreh studiuesja Krisela Hackaj.
“Jam në një mendje me Kriselën. Mendoj se fakti që të kesh protesta që i referohen kornizës evropiane është një shenjë e mirë. Dëshmon se çdo vend ka rrugën e tij të ndryshme drejt konsolidimit të demokracisë. Në Shqipëri ka pasur mbështetje shumë të fortë shoqërore për vetingun dhe për të gjitha masat antikorrupsion që u nxitën nga BE-ja. Populli shqiptar është aleati më i mirë për integrimin evropian në zbatimin e reformave të vështira”, shtoi studiuesi Matteo Bonomi.
Ish-zëvendëskryeministrja malazeze akuzoi Beogradin se po punon për destabilizimin e Malit të Zi me qëllim pengimin e anëtarësimit në BE.
“Këshilli Evropian në muajin tetor nuk duhet të jetë vetëm për masat mbrojtëse për shtetet kandidate që do të anëtarësohen në BE. Masat mbrojtëse janë një pjesë e rëndësishme e të gjithë procesit, por pjesa më e rëndësishme është që të kemi rezultate konkrete. Çdo vonesë në procesin e zgjerimit krijon më shumë hapësirë për aktorët që nuk ndajnë domosdoshmërisht interesat ose vlerat tona”, tha Jovana Marović.
“Si Shqipëria ashtu edhe Mali i Zi shfrytëzuan momentin e ri gjeopolitik për të treguar përputhje me BE-në, sidomos në politikën e jashtme. Kjo rezultoi shumë e frytshme për të bërë përparim drejt BE-së për të dy vendet. Megjithatë, mund të jetë një rrezik për Malin e Zi: një destabilizim i brendshëm politik me mocionin për ta zëvendësuar ministrin e jashtëm që i përket partisë boshnjake, gjë që sigurisht do të ketë efekt në koalicionin qeverisës”, u shpreh eurodeputeti Davor Ivo Štir.
Mali i Zi synon të anëtarësohet në BE në vitin 2028, ndërsa Shqipëria në vitin 2030.



















