Maqedoni
Humbi jetën pasi dyshohet se e goditi rryma gjatë larjes së automjetit

Një 35-vjeçar nga Studeniçani ka humbur jetën pasi dyshohet se pësoi goditje elektrike gjatë përdorimit të një pajisjeje për larjen e automjetit.
Sipas raportimit të bërë në SPB Shkup, dje rreth mesditës, në oborrin e një shtëpie në fshatin Studeniçan, në pronësi të A.S. (56), kishte ardhur H.B. (35), nga i njëjti fshat, i cili kishte marrë pajisjen për larjen e automjetit.
Gjatë përdorimit të saj, ai ka rënë në tokë, ndërsa dyshohet se shkak ka qenë goditja elektrike.
H.B. është transportuar me autoambulancë në Kompleksin e Klinikave „Nënë Tereza“ në Shkup, ku ka ndërruar jetë.
Mjeku ka konstatuar vdekjen, ndërsa me urdhër të prokurorit publik, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.















