Lajme
Gjashtë persona dhe tre kompani nën hetim për përvetësim gjatë regjistrimit të automjeteve

Një skemë e dyshuar kriminale, e cila sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme ka zgjatur për më shumë se pesë vjet, është zbardhur nga autoritetet. Hetimi lidhet me përvetësimin e parave gjatë procesit të regjistrimit të automjeteve.
Policia bën të ditur se është ngritur kallëzim penal për gjashtë persona fizikë dhe tre persona juridikë, ndërsa tre të dyshuar janë privuar nga liria.
Aksioni policor është zhvilluar më 2 dhe 3 shtator në disa lokacione në Shkup, nën drejtimin e Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar rreth 27.735 euro, 38.500 denarë, 750 franga zvicerane dhe 100 dollarë, si dhe disa telefona celularë dhe dy automjete.
Sipas MPB-së, në qendër të hetimit është një kompani nga fshati Kuçevishtë, e cila që nga viti 2011 kishte autorizim për kryerjen e kontrolleve teknike të automjeteve.
Skema, sipas policisë, ka funksionuar nga 1 janari 2021 deri më 20 janar 2026. Në këtë periudhë, pronari i kompanisë, S.S., dyshohet se ka përgatitur dhe dorëzuar raporte të rreme për shumat e mbledhura gjatë regjistrimit të automjeteve.
“S.S., në cilësinë e drejtuesit të personit juridik nga fshati Kuçevishte, i cili që nga viti 2011 kishte autorizime për kryerjen e kontrollit teknik të automjeteve, në periudhën nga 01.01.2021 deri më 20.01.2026, me qëllim që për vete të sigurojë përfitim të kundërligjshëm pasuror në vlerë prej 138.877.419 denarësh, ka përgatitur dhe dorëzuar raporte të rreme për tarifat e mbledhura gjatë regjistrimit të automjeteve”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
















