Connect with us

Maqedoni

Dyshime se përvetësuan mbi 2 milionë euro nga tarifat e regjistrimit të automjeteve

Publikuar

Një skemë e dyshuar kriminale që, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka zgjatur për më shumë se pesë vjet dhe ka përfshirë përvetësim të parave gjatë regjistrimit të automjeteve është zbardhur nga autoritetet, përcjell TV21. Policia bën të ditur se është ngritur kallëzim penal për gjashtë persona fizikë dhe tre persona juridikë, ndërsa tre të dyshuar janë privuar nga liria.

Aksioni policor është zhvilluar më 2 dhe 3 shtator në disa lokacione në Shkup, nën drejtimin e Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar rreth 27.735 euro, 38.500 denarë, 750 franga zvicerane dhe 100 dollarë, si dhe disa telefona celularë dhe dy automjete.

Sipas MPB-së, në qendër të hetimit është një kompani nga fshati Kuçevishtë, e cila që nga viti 2011 kishte autorizim për kryerjen e kontrolleve teknike të automjeteve.
Skema, sipas policisë, ka funksionuar nga 1 janari 2021 deri më 20 janar 2026. Në këtë periudhë, pronari i kompanisë, S.S., dyshohet se ka përgatitur dhe dorëzuar raporte të rreme për shumat e mbledhura gjatë regjistrimit të automjeteve.

“S.S., në cilësinë e drejtuesit të personit juridik nga fshati Kuçevishte, i cili që nga viti 2011 kishte autorizime për kryerjen e kontrollit teknik të automjeteve, në periudhën nga 01.01.2021 deri më 20.01.2026, me qëllim që për vete të sigurojë përfitim të kundërligjshëm pasuror në vlerë prej 138.877.419 denarësh, ka përgatitur dhe dorëzuar raporte të rreme për tarifat e mbledhura gjatë regjistrimit të automjeteve”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Sipas policisë, në përgatitjen e këtyre raporteve ka qenë i përfshirë edhe D.M., i cili ishte i autorizuar për përgatitjen dhe nënshkrimin e faturave dhe dorëzimin e raporteve tek institucionet kompetente.

Por skema nuk përfundonte me raportet e rreme. Sipas hetimit, paratë dyshohet se janë kanalizuar përmes një shoqërie brokerimi të sigurimeve, në llogaritë e së cilës janë paguar edhe tarifa që, sipas ligjit, nuk duhej të përfundonin aty.

“Fshehja e mjeteve monetare të mbledhura është bërë përmes një shoqërie brokerimi të sigurimeve, në llogaritë e së cilës janë mbledhur tarifat e parashikuara, edhe pse, në përputhje me ligjin, në llogarinë e shoqërisë së brokerimit duhej të paguhej vetëm polica e sigurimit”, sqaron MPB.

Në këtë pjesë të skemës, sipas policisë, rol kanë pasur edhe dy anëtarë ekzekutivë të Bordit të Drejtorëve të shoqërisë së sigurimeve, Sh.S. dhe Z. Gj., ndërsa S.S. ka qenë anëtar joekzekutiv i bordit.

“Si anëtarë ekzekutivë të Bordit të Drejtorëve dhe persona të autorizuar gjatë periudhës kritike kanë qenë Sh.S. dhe Z. Gj., të cilët e dinin se një pjesë e të ardhurave buronin nga mbledhja e tarifave dhe jo nga veprimtaria e sigurimeve dhe, së bashku me S.S. si anëtar joekzekutiv i Bordit të Drejtorëve, më tej e kanë fshehur origjinën e mjeteve monetare duke i transferuar nga njëra llogari në tjetrën të personave juridikë dhe duke i përzier me të ardhurat nga veprimtaria e rregullt, mbi baza të ndryshme, në pjesën më të madhe si hua”, thuhet në kumtesë.

Sipas MPB-së, qëllimi përfundimtar ishte që një pjesë e parave të përfituara në mënyrë të kundërligjshme të përdorej për blerjen e pasurive të paluajtshme në interes të personit juridik. Në hetim është përfshirë edhe një punonjëse e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, T.M., e cila, sipas policisë, kishte detyrimin të kontrollonte pagesat dhe raportet e dorëzuara.

MPB pretendon se ajo nuk ka kryer mbikëqyrjen që i kërkohej dhe se, në vend që kompania nga Kuçevishte të dorëzonte raporte mujore, ajo e ka informuar D.M. për shumat e paguara në llogarinë e NPSH-së.

“T.M., në cilësinë e ndihmësdrejtoreshës për financa në Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore, edhe pse kishte për detyrë të ndiqte tarifën e paguar dhe të kontrollonte raportet e dorëzuara, përkatësisht të krahasonte mjetet e mbledhura me tarifat e llogaritura në raportet mbi bazën e të cilave paguheshin faturat për komisionin e shërbimit të kryer nga personi juridik, si dhe të kërkonte arkëtimin në kohë të tarifës së raportuar nga diferencat e përcaktuara, nuk ka kryer mbikëqyrjen e duhur”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, në këtë mënyrë S.S. është mundësuar të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme edhe 48.434.406 denarë, vetëm në lidhje me tarifën rrugore. Një tjetër hallkë e dyshuar e skemës ishte kontabilisti M.D. Sipas MPB-së, ai ka regjistruar të dhëna të pavërteta në dokumentacionin kontabël dhe ka dorëzuar deklarata tatimore dhe llogari vjetore që nuk pasqyronin gjendjen reale financiare të kompanisë.

“M.D., si kontabilist i autorizuar në një person juridik nga Shkupi, në dokumentacionin kontabël ka evidentuar të dhëna të pavërteta që ndryshonin nga dokumentacioni real i punës dhe njëkohësisht ka dorëzuar deklarata tatimore dhe llogari vjetore që nuk pasqyronin gjendjen reale financiare të personit juridik nga fshati Kuçevishte. Në këtë mënyrë, S.S. i është mundësuar të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme shumën prej 138.877.419 denarësh në lidhje me tarifat e mbledhura gjatë regjistrimit të automjeteve”, njofton MPB.

Në fund të hetimit, policia ka përllogaritur dëmin dhe përfitimin e dyshuar në mbi 138.8 milionë denarë, apo rreth 2.26 milionë euro. Sipas MPB-së, nga kjo shumë, 48.434.406 denarë lidhen me dëmin ndaj Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, 1.485.926 denarë ndaj Kryqit të Kuq, 5.585.098 denarë ndaj Ministrisë së Mjedisit, ndërsa 83.371.988 denarë ndaj buxhetit dhe taksave komunale të komunave.

Për gjashtë personat fizikë dhe tre personat juridikë është dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar. Tre nga të dyshuarit janë privuar nga liria gjatë aksionit, ndërsa për rastin pritet të veprojnë organet kompetente gjyqësore.

Photo: MPB

Lajme40 minutes ago

Lushtaku i përgjigjet Abdixhikut: Mos ma përdor emrin, zgjidhi problemet në LDK – Kur dojnë me u bo interesant m’ përmendin mu

Lajme45 minutes ago

26 mijë denarë pagë, 11 mijë rruga dhe 4 mijë për hamburger: Çfarë i mbetet punëtorit?

Maqedoni2 hours ago

LSDM godet Mickoskin: “BE-ja anuloi vizitën për Mladiqin – Qeveria në Shkup ndoqi të njëjtën politikë!”

Shqipëri2 hours ago

Nisma ‘Besa’/ Deputeti i PS takim me banorët e Gjirokastrës, të moshuarit kërkojnë zgjidhje për problematikat

Lajme3 hours ago

S’ka më ‘çmim tavan’, do të përcaktohet nga tregu, MINT: Është nën monitorim të afërt, bëjmë një pauzë nga përcaktimi

Maqedoni4 hours ago

Skandal financiar në Strumicë/Sekuestrohen rreth 600 mijë euro CASH, edhe 500 mijë të tjera në llogari!

Maqedoni4 hours ago

Sali nga Dublini: Zgjerimi i BE-së duhet të jetë i drejtë, i parashikueshëm dhe i bazuar në merita

Kosovë4 hours ago

Gjini: Me Kurtin takohem veç në studio televizive – jo në zyrë që s’është e tij

Maqedoni5 hours ago

AKI: Mos i prekni paratë e “Hasan Prishtinës”! Komuna e Çairit dhe Qyteti i Shkupit kundërpërgjigjen

Shqipëri5 hours ago

Vatër e madhe zjarri në Cërrik, Emergjencat apel banorëve: Kini kujdes, njoftoni menjëherë sapo të evidentoni vatra!

Maqedoni6 hours ago

Kanadezi në telashe: Bleu ilegalisht artefakt në Kumanovë, dyshohet se donte ta nxirrte jashtë vendit!

Bota6 hours ago

Zyrtarja e lartë e BE anulon vizitën në Serbi, shkak glorifikimi i Mlladiqit

NA NDIQ NË FACEBOOK