Lajme
Digjen makineritë në stadiumin e Shkëndijës, reagon Daut Beqiri: Nuk na ndal askush!

Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, ka reaguar pas djegies së makinerive që po punonin në ndërtimin e stadiumit të Shkëndijës, duke e cilësuar incidentin si goditje ndaj një projekti që i shërben sportit, rinisë dhe zhvillimit të komunës, raporton ZYRTARE.net
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Beqiri ka kërkuar zbardhjen sa më të shpejtë të rastit dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve, ndërsa ka theksuar se punimet për stadiumin do të vazhdojnë.
Ai ka bërë të ditur se projekti do të përfundojë, pavarësisht incidentit, duke rikujtuar se Haraçina ka pritur 50 vite për realizimin e tij.
“Por një gjë duhet të jetë e qartë: Nuk na ndal askush. Punimet do të vazhdojnë. Projekti do të përfundojë. Stadiumi i Shkëndijës do të ndërtohet”, ka shkruar Beqiri.
Kreu i Haraçinës ka deklaruar gjithashtu se nuk do të tërhiqet përballë presioneve, kërcënimeve apo pengesave dhe se do ta çojë projektin deri në fund, me synimin që fëmijët e komunës të kenë stadiumin e tyre.
“Sot mund të digjen makineri, por nuk digjet vullneti për të ndërtuar. Stadiumi do të ndërtohet. Shkëndija do ta ketë shtëpinë e saj”, ka theksuar Beqiri.
Ai ka përfunduar reagimin me mesazhin se ndërtimi i stadiumit të Shkëndijës do të vazhdojë dhe se incidenti nuk do ta ndalë realizimin e projektit.












