Lajme
Dauti: Dogana kap 12 migrantë nga Egjipti dhe Sudani në Tetovë dhe Shkup

Brenda një dite, në dy pika të ndryshme doganore, janë zbuluar 12 migrantë të paligjshëm nga Egjipti dhe Sudani, të cilët fshiheshin në hapësirat e ngarkesave të kamionëve.
Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Doganave, Mustafa Dauti, ka bërë të ditur se nëpunësit doganorë kanë zbuluar migrantët gjatë kontrolleve të mallrave të deklaruara për import.
Rasti i parë është konstatuar në terminalin doganor në Tetovë, ku nëpunësit doganorë dyshuan për praninë e migrantëve në një kamion dhe kërkuan asistencën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Gjatë kontrollit, në hapësirën e ngarkesës u gjetën pesë migrantë të paligjshëm.
Vetëm dy orë më vonë, në terminalin doganor Shkup 3, gjatë kontrollit të mallrave për import, u zbuluan edhe shtatë migrantë të tjerë.
Të gjithë migrantët iu dorëzuan Ministrisë së Punëve të Brendshme për procedura të mëtejshme.
Dauti theksoi se, sipas të dhënave të fundit të Frontex-it, migracioni i paligjshëm përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor ka shënuar rënie prej 42 për qind.
Ai vlerësoi se zbulimi i dy rasteve brenda së njëjtës ditë dëshmon rëndësinë e kontrolleve doganore dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve në luftën kundër migracionit të paligjshëm.












