Connect with us

OP / ED

Kapja e UEJL-së: Milionat pa mbikëqyrje, ambiciet për privatizim dhe tregtimi me ndikim politik

Publikuar

Foto e gjeneruar me IA

Shkruan: Artan A. Xhaferi

Para disa ditësh, thuajse në heshtje qarkulloi lajmi për shkarkimin e Sekretarit të Përgjithshëm të UEJL-së, Xhevair Memedi. Pas shumë vitesh shërbim, Memedi u shkarkua para kohe dhe në prag të pensionit.

Universiteti i Evropës Juglindore nuk i dha një shpjegim publikut për këtë hap drastik, por zëra të afërt me opozitën shqiptare u përpoqën t’i japin kahje të rrejshme, duke tentuar të baltosin figurën e Memedit.

Megjithatë, informacionet që vijnë nga brenda Universitetit flasin për një realitet krejt tjetër. A u bë Xhevair Memedi pengesë e ambicieve të dyshimta për privatizimin e UEJL-së? A janë këto ambicie dhe lakmia e disa individëve motivi i vërtetë për shkarkimin e Sekretarit të Përgjithshëm?

Nga fole e dijes në biznes të majmë privat

Ky universitet u themelua në vitin 2001 si universitet publiko-privat, mbi parimin e modelit jofitimprurës.

Puna e universitetit mbikëqyret nga Bordi, ku bëjnë pjesë edhe dy ekspertë ndërkombëtarë. Mes tyre është edhe Edward P. Joseph, njohës i mirë i zhvillimeve politike në Ballkan. Në mars të vitit 2024, pak muaj para zgjedhjeve parlamentare, Joseph zhvilloi një takim me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti.

Ndër emrat e tjerë të Bordit që lidhen me politikën ditore është edhe Elmedina Abdulahi, pjesë e listës Më Mirë për Tetovën, e cila për vite me radhë kundërshton dhe kritikon politikat e pushtetit lokal në Tetovë.

Ai financohet pjesërisht nga buxheti i Maqedonisë së Veriut dhe nga disa burime vetanake, me participimin e shtrenjtë studentor që mbetet burimi kryesor (rreth 71%) i të hyrave të përgjithshme.

UEJL qarkullon rreth 7 milionë euro në vit, ndërsa në vitet e fundit ka akumuluar rreth 6 milionë euro suficit.

Këto shifra kanë ngjallur ambicie lakmitare në krye të UEJL-së. Sipas informacioneve, ka disa vite që ish-rektori në dy mandate i UEJL-së, Abdylmenaf Bexheti, ua prezanton njerëzve të tij të afërt vizionin për privatizimin e Universitetit.

Dhe ndërkohë, suficiti i grumbulluar, sipas burimeve të njëjta, tashmë po menaxhohet si kapital privat. Ai investohet rregullisht në tregje financiare, përfshirë edhe në Bitcoin dhe kriptovaluta tjera, edhe pse në raportin financiar thuhet shprehimisht e kundërta, se këto fonde investohen në “instrumente financiare me risk të ulët”. Por tregu i kriptovalutave njihet botërisht për të kundërtën, është treg me rrezik të lartë.

Burimet tona thonë se këto aktivitete financiare zhvillohen pa mbikëqyrje efektive, edhe pse raportohet krejt e kundërta në webfaqen e tyre, ku thuhet se “UEJL zbaton kontrolle të brendshme të rrepta dhe politika të zbutjes së rrezikut”.

Abdylmenaf Bexheti nuk është më rektor në UEJL, por pas dy mandatesh, në vend të tij solli njeriun e tij të dëgjueshëm, rektorin aktual Sadudin Ibraimi.

Tangoja me politikën

Ambiciet e kahershme për privatizimin e Universitetit morën një goditje të rëndë me pakon e reformave të arsimit të lartë, të cilën e përgatiti Qeveria gjatë këtij viti. Kjo pako, mes tjerash, parashikon edhe optimizimin e universiteteve, ndërsa si pjesë e këtij vizioni u firmos edhe një memorandum mirëkuptimi mes UEJL-së dhe Universitetit Nënë Tereza.   

Memorandumi parashikon që UEJL dhe UNT të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën në përgatitjen e programeve studimore, me qëllim që të mos duplifikohen programet dhe të ruhet cilësia e studimeve. Nga ky memorandum do të përfitonin edhe universitetet në fjalë, edhe studentët shqiptarë, e më së shumti arsimi në gjuhën shqipe.

Por zbatimi i memorandumit dhe i reformave në arsimin e lartë në përgjithësi, do të shuanin ambiciet e fshehta për privatizimin dhe përvetësimin e UEJL-së.

Prandaj, në sytë e tyre, kjo pako duhet të bllokohet me çdo kusht. Dhe këtë po e bën sot BDI-ja. Reforma e arsimit të lartë, e harmonizuar me kërkesat e universiteteve, stafit akademik dhe studentëve, po bllokohet në Kuvend nga opozita shqiptare.

Për momentin, kjo i shkon për shtati vetëm Abdylmenaf Bexhetit dhe ambicieve të tij të errëta.

Për ta rritur ndikimin dhe mundësinë e “kusuritjes politike”, Abdylmenaf Bexheti ka ngritur edhe një rrjet levash që aktivizohen sipas nevojës.

Kush është Abdylmenaf Bexheti?

Bexheti njihet për karrierën e tij politike dhe ekonomike, të cilën gjithmonë e ka karakterizuar ambicia.

Karriera e tij profesionale fillon të ish-Jugosllavi, ku shërben si inspektor financiar në Shërbimin e Kontabilitetit Social, ndërsa më vonë rritet në detyrë si “inspektor i lartë”.

Karriera e tij politike lulëzon zakonisht gjatë qeverisjeve të LSDM-së, në veçanti në kohërat e Branko Cërvenkovskit dhe Zoran Zaevit.

Flitet shpesh se karakterin dhe ambicien e tij të pangopur më së miri e përshkruan periudha kur Bexheti, përskaj angazhimeve akademike, rolit të tij si këshilltar në Ecolog dhe të tjera, ai e kërkoi edhe rolin e presidentit të klubit të futbollit Shkëndija.

 

 

SHËNIM: Shkrimet e publikuara në rubrikën “OPINION” përfaqësojnë qëndrimin e autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin e redaksisë.

NA NDIQ NË FACEBOOK