Connect with us

Maqedoni

BE ndan 41 mijë bileta falas për të rinjtë – mund të aplikojnë edhe të rinjtë nga Maqedonia e Veriut

Publikuar

Të rinjtë do të mund të aplikojnë online nga 1 deri më 15 tetor. Qytetarët e BE-së të lindur nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2008 mund të përfitojnë bileta falas për udhëtime me tren nëpër Evropë, pasi të plotësojnë një kuiz të shkurtër për Bashkimin Evropian dhe iniciativat rinore.

Bashkimi Evropian do të ndajë një seri të re prej 41.000 biletash falas për udhëtime me tren, të destinuara për të rinjtë 18-vjeçarë që dëshirojnë të udhëtojnë dhe të njohin vende të ndryshme të Evropës.

Aplikimi do të jetë i hapur online nga 1 deri më 15 tetor. Të drejtën për bileta falas e kanë qytetarët e BE-së të lindur ndërmjet 1 janarit dhe 31 dhjetorit 2008, pasi të plotësojnë një kuiz të shkurtër lidhur me BE-në dhe iniciativat për të rinjtë.

Mundësi edhe për të rinjtë nga Maqedonia e Veriut

Në program mund të marrin pjesë edhe të rinjtë nga vendet jashtë Bashkimit Evropian që janë të lidhura me programin evropian të shkëmbimit Erasmus+, ku bën pjesë edhe Maqedonia e Veriut.

Komisioni Evropian do t’i njoftojë kandidatët aplikimet e të cilëve janë përzgjedhur dhe do t’u ndajë bileta hekurudhore që mundësojnë udhëtim deri në shtatë ditë brenda një periudhe njëmujore.

Udhëtimet do të mund të realizohen në periudhën nga 1 marsi 2027 deri më 31 maj 2028.

Çfarë është DiscoverEU?

Iniciativa DiscoverEU është pjesë e programit Erasmus+ dhe u lançua në vitin 2018, me synimin që të rinjtë të kenë mundësi të udhëtojnë nëpër Evropë, të njohin diversitetin e saj, trashëgiminë kulturore dhe historinë, si dhe të krijojnë lidhje me të rinj nga vende të ndryshme të kontinentit.

Sipas BE-së, nga viti 2027 edhe Mbretëria e Bashkuar pritet t’i bashkohet sërish këtij programi, për herë të parë pas Brexit-it dhe largimit nga Bashkimi Evropian.

Deri më tani, rreth 473.000 të rinj kanë përfituar bileta falas për udhëtime me tren në kuadër të iniciativës DiscoverEU.

Seri të reja biletash falas ndahen dy herë në vit.

NA NDIQ NË FACEBOOK