Connect with us

Lajme

Bastisje dhe arrestime në Shkup: Mbi 13 milionë denarë dëm nga skandali me regjistrimin e veturave

Publikuar

Shkup, aksion i madh policor gjatë natës! Njësitë për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë kanë goditur në disa lokacione në kryeqytet, duke kryer bastisje dhe arrestuar disa persona të dyshuar për përfshirje në një skemë të rëndë kriminale financiare.

Operacioni është zhvilluar mbrëmë vonë nga pjesëtarë të Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë pranë Byrosë për Siguri Publike – MPB.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme është konfirmuar zhvillimi i aksionit, ndërsa detajet e plota pritet të bëhen publike gjatë ditës.

Sipas informacioneve jozyrtare, hetimi lidhet me keqpërdorime financiare gjatë arkëtimit të tarifave për regjistrimin e automjeteve, ku dyshohet se përmes falsifikimit të raporteve dhe fletëpagesave janë fshehur dhe devijuar shuma të mëdha parash.

Dëmi financiar, sipas informacioneve të para, kap shifrën e mbi 13 milionë denarëve.

Në këtë rast dyshohet se janë përfshirë persona fizikë dhe juridikë, ndërsa mes të dyshuarve ka edhe persona të punësuar në institucione dhe ndërmarrje shtetërore. Sipas burimeve jozyrtare, njëri prej personave të përfshirë është i punësuar në Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore.

Aksioni dyshohet se është aktivizuar me urgjencë pasi njëri nga personat kyç të hetimit është përpjekur të largohet nga vendi, duke nxitur reagimin e menjëhershëm të organeve hetimore.

Operacioni ende është në vazhdim! Gjatë ditës pritet që MPB të publikojë detaje për numrin e personave të arrestuar, rolet e tyre në skemën e dyshuar kriminale dhe dëmin e plotë financiar.

Për më shumë detaje, ndiqni zhvillimet e fundit.

NA NDIQ NË FACEBOOK