Shqipëri
Atentati në Sarandë, policia dhe RENEA kontrolle në disa banesa në Kamëz, pyeten dhe 20 persona! Ja pista e dyshuar

Policia e Tiranës, Vlorës dhe Forcat RENEA prej orëve të para të mëngjesit kanë ushtruar të paktën në disa banesa kontrolle në zonën e Kamzës.
Janë kontrolluar banesa e Ervis Lamit dhe njerëzve të tij familjarë në lidhje me ekzekutimin mafioz në Sarandë.
Konflikti me Ervis Lamin, mbetet një nga pistat kryesore të hetimit nga ana e autoriteteve, për shkak të përplasjeve që ka pasur më herët viktima 44-vjeçar Artan Myrtaj.
Ndërsa në Sarandë janë bërë mbi 20 kontrolle nga policia e Vlorës, informon “Vizion Plus”.
Gjatë 24 orëve të fundit, policia ka marrë në pyetje rreth 20 persona, mes tyre dëshmitarë të ngjarjes, kalimtarë që ndodheshin në zonë në momentin e krimit, si dhe familjarë të viktimës. Deri tani, dëshmitë e tyre nuk kanë sjellë të dhëna të mjaftueshme për identifikimin e autorëve.
Pamjet filmike kanë dokumentuar dinamikën e ngjarjes. Myrtaj shfaqet duke mbërritur në një prej lokaleve të zonës. Ai shihet duke konsumuar kafe derisa pikas dy persona me skafandër që i vijnë përballë.
Sipas pamjeve, 44-vjeçari tenton të largohet me vrap në drejtim të rrugës “Vangjel Pandi”, por ndiqet nga dy personat, të cilët qëllojnë me armë zjarri në drejtim të tij.
Si pasojë e plumbave Myrtaj, i njohur edhe si “Tani i Ruzhdiut”, humb jetën në vendngjarje, ndërsa autorët largohen nga vend ii ngjarjes.
Hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për një vrasje të organizuar dhe se autorët mund të kenë pasur njohuri të detajuara mbi lëvizjet e viktimës dhe zonën ku ndodhi krimi. Sipas dyshimeve të grupit hetimor, ekzekutorët mund të jenë larguar drejt periferisë së Sarandës, në aksin që lidh qytetin me Gjirokastrën, duke humbur më pas gjurmët.
Përveç autorëve që kanë kryer ekzekutimin, hetuesit po verifikojnë edhe mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë, të cilët mund të kenë ndjekur lëvizjet e viktimës apo të kenë siguruar informacione mbi të.
Pista kryesore e hetimit lidhet me një ngjarje të ndodhur në korrik 2025, ku pas një konflikti për motive pronësie mbetën të plagosur shtetasit Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lame, nga Kamza. Artan Myrtaj ishte arrestuar më 18 korrik 2025, nën dyshimin për përkrahje të autorit të kësaj ngjarjeje.
Policia ka marrë në pyetje persona të plagosur dhe individë të lidhur me konfliktin e vitit të kaluar, ndërsa të dhënat e mbledhura po analizohen në kuadër të hetimit.
Nga ngjarja mbeti i plagosur edhe 73-vjeçari Xhevdet Skëndaj, i cili u qëllua me një plumb në shpinë. Ai është transportuar për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të vrasjes.




















