Maqedoni
Arritje akademike në RMV: Dr. Ermira Tateshi, optometristja e parë me doktoraturë në fushën e dëmtimeve të shikimit

Dr. Ermira Tateshi ka shënuar një arritje të veçantë akademike, duke u bërë optometristja e parë në Maqedoninë e Veriut që mbron doktoraturën në drejtimin e edukimit special dhe rehabilitimit, në fushën e dëmtimeve të shikimit.
Në amfiteatrin e Fakultetit Filozofik të Universitetit “Shën Qirili dhe Metodi” në Shkup, Tateshi mbrojti me sukses disertacionin e doktoraturës me titull “Gabimet refraktive te fëmijët e moshës shkollore”, duke fituar titullin Doktor i Shkencave në edukimin special dhe rehabilitimin, në fushën e dëmtimeve të shikimit.
Mbrojtja u zhvillua para komisionit të përbërë nga prof. dr. Zora Jaçeva, kryetare; prof. dr. Daniella Dimitrova-Radojiçiq, mentore; prof. dr. Natasha Angelloska-Galevska; prof. dr. Emilija Gjosheva-Dashtevska dhe prof. dr. Lulzim Mehmedi.
Hulumtimi i saj përfshiu të dhëna për 16.400 fëmijë të diagnostikuar me gabime refraktive, si dhe 115 mësimdhënës. Studimi analizon shpërndarjen e problemeve refraktive te fëmijët, por edhe rolin që kanë mësimdhënësit në identifikimin e hershëm të vështirësive në shikim.
E diplomuar në optometri, Dr. Tateshi ndërthur në punimin e saj dy fusha të rëndësishme – shëndetin e syve dhe edukimin e fëmijëve. Hulumtimi vë në pah rëndësinë e zbulimit në kohë të problemeve të shikimit, të cilat mund të ndikojnë drejtpërdrejt në pjesëmarrjen dhe përparimin e nxënësve në procesin mësimor.
Njëkohësisht, studimi nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet familjes, mësimdhënësve dhe profesionistëve të shëndetit të syve për identifikimin dhe trajtimin sa më të hershëm të këtyre problemeve.
Me mbrojtjen e kësaj doktorature, Dr. Ermira Tateshi bëhet optometristja e parë në Maqedoninë e Veriut që arrin këtë nivel akademik në drejtimin e edukimit special dhe rehabilitimit, në fushën e dëmtimeve të shikimit.
















