Lajme
Arrestohet Perparim Bajrami, u dorëzua vetë në polici

Ish-drejtori i „Lotarisë Shtetërore“, Perparim Bajrami, i dyshuar për përvetësim dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, është dorëzuar mëngjesin e sotëm te organet e ndjekjes, pasi prej një periudhe ishte në arrati.
Sipas informacioneve të autoriteteve, Bajrami, nga Kumanova, i lindur më 10 shkurt 1993, është paraqitur vullnetarisht dhe në këmbë te organet kompetente rreth orës 05:35.
Për të ishte shpallur masë „arrestimi“, me kërkesë të SMPS-së – Departamentit për Kërkime, në bazë të nenit 354, paragrafi 5 të Kodit Penal.
Pas konfirmimit të masës, Bajrami është privuar nga liria dhe pritet të dërgohet për procedurë të mëtejshme para organeve kompetente.
Me dorëzimin e tij, pas Artan Grubit, edhe një person tjetër i cili kërkohej nga autoritetet tashmë është vënë në dispozicion të organeve të ndjekjes.
Në të njëjtin rast, përveç Bajramit, janë të akuzuar edhe ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi dhe gjashtë persona të tjerë.
Grubi, i cili për më shumë se një vit ishte i paarritshëm për organet e ndjekjes, u dorëzua në pikën kufitare Bllacë në shkurt të këtij viti. Pas dorëzimit, atij iu caktua masa e arrestit shtëpiak.
Seanca gjyqësore për këtë rast do të vazhdojë të premten.















