Lajme
Agon Ferati: BDI bëri organizim paralel të MO-së, në restorant dasmash

Ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, ka kritikuar mënyrën e organizimit të 25-të përvjetorit të Marrëveshjes së Ohrit nga BDI, duke e cilësuar si një organizim paralel ndaj ceremonisë shtetërore.
I ftuar në emisionin “Rishtazi” në “Koha cast”, Ferati tha se përvjetori i Marrëveshjes së Ohrit është organizim shtetëror dhe se në ceremoninë e organizuar nga Ministria për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive ishin ftuar edhe përfaqësuesit e BDI-së, përfshirë kryetarin e saj, Ali Ahmeti.
“Nëse ti përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit e organizon në restorant dasmash, kjo është qesharake. Sonte ka martesë, nesër synetllëk dhe në këto data ti feston përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit”, tha Ferati.
Ai sqaroi se Ahmeti, si deputet dhe grupi parlamentar i BDI-së, ishin të ftuar përmes grupit parlamentar të kësaj partie opozitare.
“Organizimi është shtetëror. z.Ahmeti është deputet, grupi parlamentar i BDI-së janë deputetë dhe kanë qenë të ftuar përmes këtij grupi, por çka ndodhi? Ata bënë një organizim tjetër paralel”, deklaroi Ferati.
















