Maqedoni
78 nxënës shqiptarë në tri paralele, ndërsa 38 maqedonas në po aq: kërkohet hapja e klasës së katërt

Në shkollën fillore „Sande Shterjoski“ janë regjistruar gjithsej 78 nxënës që mësimin do ta ndjekin në gjuhën shqipe, por ata janë sistemuar vetëm në tri paralele.
Nga ana tjetër, sipas të dhënave të publikuara, në të njëjtën shkollë janë regjistruar 38 nxënës me mësim në gjuhën maqedonase, të cilët gjithashtu janë shpërndarë në tri paralele. Për mësim në gjuhën turke janë regjistruar 17 nxënës, të cilët ndjekin mësimin në një paralele.
Statistika për shpërndarjen e nxënësve duket kështu:
78 nxënës (gjuhë shqipe) – 3 paralele
38 nxënës (gjuhë maqedonase) – 3 paralele
17 nxënës (gjuhë turke) – 1 paralele
Në praktikë, kjo do të thotë se në paralelet në gjuhën shqipe do të ketë mesatarisht nga 26 nxënës në një klasë, ndërsa në paralelet në gjuhën maqedonase ky numër është rreth 13 nxënës për klasë.
Kjo diferencë e madhe në numrin e nxënësve për paralele ngre pyetjen nëse është e nevojshme të hapet edhe një paralele e katërt në gjuhën shqipe.
Me hapjen e një paraleleje të re, 78 nxënësit do të shpërndaheshin në mënyrë më të barabartë, gjë që do të përmirësonte ndjeshëm kushtet për zhvillimin normal të procesit mësimor. Me katër paralele, numri mesatar do të ulej në rreth 19 deri në 20 nxënës për klasë.
Mbetet të shihet nëse autoritetet kompetente do ta marrin parasysh këtë kërkesë dhe nëse do të shqyrtohet mundësia për formimin e paraleles së katërt në gjuhën shqipe.
Kjo çështje pritet të jetë pjesë e diskutimeve në kuadër të organizimit të procesit arsimor në këtë shkollë.















