Maqedoni
35-vjeçari përfundon me lëndime të rënda në klinikat e Shkupit, policia heton rrethanat

Një 35-vjeçar nga Shtipi është dërguar me lëndime të rënda trupore në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ndërsa policia po heton rrethanat se si është lënduar.
Babai i tij ka denoncuar se më 16 shtator, nga institucioni shëndetësor publik në rajonin e Gjevgjelisë ku trajtohej i biri, ishte njoftuar se ai kishte rënë nga shtrati dhe ishte lënduar.
Megjithatë, 35-vjeçari R.J. ka dhënë një version tjetër. Sipas denoncimit të tij, gjatë qëndrimit në institucion është sulmuar fizikisht nga një punonjës spitalor.
Rasti është denoncuar në SPB Shkup më 21 shtator, pasi pacienti ishte dërguar në klinikat e Shkupit me lëndime të rënda trupore.
Policia po ndërmerr masa për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur dhe si janë shkaktuar lëndimet. Deri tani, autoritetet nuk kanë konfirmuar pretendimin se 35-vjeçari është sulmuar nga punonjësi i spitalit.














