Connect with us

Lajme

Zeqirja Ibrahimi: Nëse nuk ka qenë në agjendë ndarja, federalizimi apo kantonizimi, cili ka qenë vizioni për Maqedoninë?

Publikuar

Zeqirja Ibrahimi nga VLEN, ka reaguar lidhur me debatin e rikthyer për pretendimet se gjatë vitit 2001 në tavolinë ka qenë edhe opsioni i ndarjes së Maqedonisë, raporton Zyrtare.net

Ibrahimi thotë se, nëse është e vërtetë që përfaqësuesi politik i atëhershëm i UÇK-së nuk e ka pranuar ndarjen, atëherë duhet të shpjegohet ndryshimi mes qëndrimeve fillestare të UÇK-së dhe kërkesave që u artikuluan pas përfundimit të konfliktit.

“Po e marrim të mirëqenë faktin se përfaqësuesi i atëhershëm politik i UÇK-së nuk e pranoi ndarjen e Maqedonisë së Veriut. Nëse është kështu, siç e tha vetë ai, i bie se ai ka hequr dorë – vullnetarisht ose nga ndonjë presion – nga qëndrimi fillestar i ndarjes së Maqedonisë, i shprehur në komunikatat e para të UÇK-së”, shkruan Ibrahimi.

Sipas tij, kjo ngre pikëpyetje edhe për çmimin e konfliktit të vitit 2001 dhe objektivat që synoheshin të arriheshin.

“Reduktimi i këtillë marramendës i synimeve kërkon një shpjegim”, thekson ai.

Ibrahimi më tej pyet se, nëse në agjendë nuk kanë qenë ndarja, federalizimi, kantonizimi apo edhe një organizim i brendshëm i komunave shqiptare, atëherë cili ka qenë vizioni politik për vendin.

“Cili ka qenë vizioni për Maqedoninë i atij që e bëri luftën?”, përfundon Ibrahimi./Zyrtare.net/