Connect with us

Religjion

Veshja e Shpirtit: reflektimi i vlerave të brendshme

Publikuar

Pse njeriu i adhuron më shumë ato gjëra që toka do t’i marrë, krahasuar me ato që do t’i kthehen All-llahut?!

Është një kontradiktë e çuditshme dhe e dhimbshme tek njeriu: ai është më shumë i përqendruar tek trupi, i cili pa mëshirë plaket, sesa tek shpirti, i cili nuk njeh plakje; më shumë kujdeset për fytyrën që toka do ta mbulojë, sesa për nderin me të cilin do të qëndrojë para All-llahut; më shumë kohë shpenzon duke zgjedhur rroba për trupin, sesa virtytet me të cilat mund ta veshë shpirtin.

Trupi është nga toka dhe tek toka kthehet. Shpirti është nga urdhri i All-llahut dhe tek Ai do të kthehet. Megjithatë, njeriu sillet sikur trupi është banesa e tij përfundimtare, ndërsa shpirti është vetëm një hije e paqartë që herë pas here e shqetëson me pyetjen: “Ku po shkon?”

Për trupin janë ngritur pallate mode, industri bukurie, shtëpi kozmetike, palestra sportive, klinika rinovimi dhe skena ku matet çdo formë e jashtme e njeriut. Për shpirtin pothuajse nuk ka pasqyrë. Për trupin ekzistojnë stinët e modës, por për shpirtin sikur nuk ka kohë për pendim, përmirësim dhe pjekuri. Për trupin ka pafund kremra kundër rrudhave, por pak kush kërkon ilaç kundër mendjemadhësisë, zilisë, hipokrizisë, lakmisë dhe ashpërsisë së zemrës.

Njeriu frikësohet që fytyra të mos plaket, por nuk frikësohet që shpirti të mos bëhet i ngurtë dhe i ftohtë. Frikësohet që rrobat të mos dalin nga moda, por nuk pyet nëse ndërgjegjja e tij ka dalë jashtë përdorimit. Frikësohet që para njerëzve të mos duket i varfër, por nuk trembet që para All-llahut të mos gjendet shpirtërisht i varfër.

Faji nuk është te trupi

Nuk duhet fajësuar trupin. Trupi është dhuratë nga All-llahu. Ai është shtëpia e shpirtit, emaneti i tij në këtë botë dhe mjeti përmes të cilit bëjmë mirësi apo ligësi. Me duart mund ta ushqejmë të uriturin, por edhe ta lëndojmë të pafajshmin. Me sytë mund t’i lexojmë shenjat e All-llahut në këtë tokë, por edhe të shikojmë gjëra që e ndotin zemrën. Me gjuhën mund ta themi të vërtetën, lutjen dhe fjalën ngushëlluese, por edhe gënjeshtrën, shpifjen dhe poshtërimin. Këmbët na çojnë për të vizituar një njeri të vetmuar, por edhe drejt dyerve të mëkatit. Islami nuk e përbuz trupin. Ai e pastron, ushqen, vesh, pushon, shëron dhe mbron atë. Por nuk e adhuron. Trupit i jep të drejtë, por nuk ia jep fronin që i takon shpirtit dhe ndërgjegjes.

Problemi, pra, nuk qëndron në faktin që njeriu e do bukurinë. All-llahu i Madhërishëm është i bukur dhe e do bukurinë. Problemi lind kur bukuria ndahet nga e vërteta, kur trupi ndahet nga dinjiteti, kur shikimi ndahet nga turpi, dhe kur liria ndahet nga përgjegjësia. Atëherë bukuria nuk është më shenjë që të çon tek Krijuesi, por bëhet idhull që e robëron njeriun në kalueshmërinë e tij. Nuk është mëkat të kujdesesh për trupin. Mëkat është ta harrosh shpirtin. Nuk është gabim të vishesh bukur. Gabim është të mendosh se rrobat mund ta mbulojnë boshllëkun shpirtëror. Nuk është turp të jesh i bukur. Turp është ta kthesh bukurinë në mall dhe trupin e njeriut në dyqan ku tregtohen shikime, dëshira dhe përfitime.

Pse trupi është më i dukshëm se shpirti?

Njeriu ka prirje për atë që mund ta shohë, prekë dhe tregojë menjëherë. Trupi është i dukshëm, ndërsa shpirti është i fshehur. Veshjet mund të fotografohen; modestia nuk mundet. Fytyra mund të lyhet me makijazh për disa minuta; karakteri formohet me vite. Trupi mund ta tërheq vëmendjen për një çast; fisnikëria e shpirtit njihet vetëm në kohë vështirësish. Prandaj tregu e do më shumë trupin sesa shpirtin.

Tregut i nevojitet ajo që mund të ekspozohet, matet, reklamohet dhe shitet. Shpirti i shpëton sepse vlera e tij nuk mund të shprehet me çmim. Sa kushton një lot i sinqertë pendimi? Sa është vlera tregtare e faljes? Me çfarë monedhe blihet ndërgjegjja e pastër? Cila shtëpi mode e prodhon durimin? Cili parfum mund t’ia ofrojë aromën e sinqeritetit njeriut me shpirt të prishur?

Shpirti është i rrezikshëm për tregun sepse shpirti i kënaqur nuk blen për ta mbushur boshllëkun. Shpirti i lirë nuk lejon që reklama t’ia përcaktojë vlerën. Njeriu që di se është krijesë e All-llahut nuk ka nevojë ta kërkojë pranimin e ekzistencës së tij nga sytë e të tjerëve.

Mu për këtë bota moderne vazhdimisht prodhon pakënaqësi me trupin. I thotë njeriut se nuk është mjaftueshëm i bukur, i ri, i hollë, i fortë, i dëshirueshëm apo modern. Së pari i krijon një plagë, pastaj i shet një fashë. E bind që i mungon diçka, dhe më pas i ofron një produkt me të cilin supozohet se do të bëhet i plotë. Por boshllëkun shpirtëror nuk mund ta mbushë teprica materiale.

Njeriu mund të ketë dollap plot me rroba, por shpirt të ftohtë. Mund të ketë fytyrë të përsosur, por të mos e njohë nderin e vet. Mund të jetë i rrethuar me mijëra shikime, por të mbetet i padukshëm në njerëzoren e tij. Mund të jetë objekt admirimi, por kurrë të mos ndjejë se vërtet është i dashur.

Trupi si mall, njeriu si dyqan eksponimi

Skena e modës nuk është vetëm një vend ku tregohen rrobat. Ajo është pasqyrë e një gabimi civilizues: që njeriu vlerësohet aq sa është i dëshirueshëm për syrin e të tjerëve. Në një skenë të tillë, rrobat shpesh më shumë zbulojnë sesa mbulojnë. Qëllimi i tyre nuk është ta ruajnë dinjitetin e trupit, por ta shndërrojnë trupin në një mjet për ta tërhequr vëmendjen e të tjerëve. Një modele paraqitet si e lirë, ndërsa nga ajo kërkohet që t’i nënshtrohet rregullave të industrisë: duhet ta ketë masën e përcaktuar, peshën e caktuar, shprehjen e fytyrës, mënyrën e ecjes dhe aftësinë për të qenë e pashme, e vlerësuar. Kjo nuk paraqet liri, por është vetëm një formë më e sofistikuar e robërimit të tij.

Njeriut i thuhet: “Ekspozoje trupin për të dëshmuar se je i lirë.” Ndërsa liria e vërtetë nuk është te ekspozimi i trupit. Liria e vërtetë është ta dish vetë vlerën tënde, pavarësisht duartrokitjeve, dëshirave apo vlerësimeve tregtare të të tjerëve. Turpi nuk është urrejtje ndaj trupit. ajo paraqet vetëdije që trupi është shenjtëri dhe emanet. Mbulesa nuk është mohim i bukurisë. Ajo mund të jetë mbrojtja e saj nga banalizimi.

Ajo që është e çmuar nuk i ekspozohet të gjithë syve. Perla ruhet në guaskë, zemra në kraharor, dhe fara në tokë. Jo sepse janë të pavlera, por sepse vlera e tyre kërkon mbrojtje.

Duhet të jemi të drejtë dhe të pranojmë se zhveshja shpirtërore nuk është vetëm çështje rrobash. Njeriu mund të jetë plotësisht i mbuluar, por shpirti i tij të jetë i zhveshur nga mendjemadhësia, keqdashja dhe dyftyrësia. Mund të mbajë rroba modestie, por në zemër të ushqejë përbuzje ndaj të tjerëve. Ashtu si trupi i zbuluar nuk është dëshmi e shpirtit të prishur, as trupi i mbuluar nuk është automatikisht dëshmi e pastërtisë së tij.

All-llahu nuk lejon që moralin tonë ta ndërtojmë mbi poshtërimin e të tjerëve. Qëllimi i paralajmërimit shpirtëror nuk është ta dënojë modelen, gruan apo burrin që është bërë viktimë e kulturës së ekspozimit. Qëllimi ynë është ta pyesim shoqërinë: pse e keni zvogëluar vlerën e njeriut vetëm në trupin e tij? Pse e keni mësuar gruan që vlen aq sa tërheq shikimet?

Veshja që nuk plaket

Kur’ani na kujton se njeriut i është dhënë një veshje që i mbulon vendet e turpit dhe shërben si zbukurim, por menjëherë pas kësaj flet për një veshje më të lartë: “…Dhe veshja e përulësisë para All-llahut – ajo është më e mira. [El-A‘raf, 26]

Kjo është veshja e shpirtit. Trupi vishet me pëlhurë, ndërsa shpirti me vetëdijen për All-llahun. Trupi zbukurohet me ngjyra, ndërsa shpirti me të vërtetën. Trupi parfumohet me erëza, ndërsa shpirti me sinqeritet. Trupi e mbron veten nga i ftohti me lesh, ndërsa shpirti nga mëkati me turp. Trupi e mban atë që e kanë qepur duart njerëzore; shpirti mban atë që ka krijuar vullneti njerëzor nën shikimin e All-llahut.

Veshja e trupit mund ta fshehë varfërinë, vitet dhe plagët. Veshja e shpirtit nuk fsheh — ajo transformon. Durimi nuk e fsheh shqetësimin, por e kthen atë në forcë. Pendimi nuk e fsheh mëkatin, por e pastron atë. Përulësia nuk e fsheh mendjemadhësinë, por ia heq pushtetin asaj. Dashuria nuk e zbukuron urrejtjen, por e largon nga zemra.

Nëse do të ekzistonte një shfaqje e veshjeve për shpirtin, në skenën e saj nuk do të ecte për duartrokitje. Do të ecte në heshtje, sepse ajo që është e sinqertë nuk kërkon publik. Në atë shfaqje do të shfaqej shpirti i veshur me të vërtetën. Nuk do të ishte i pafajshëm, por nuk do të gënjente për dobësitë e tij. Pas tij do të vinte shpirti i veshur me drejtësi. Nuk do të pyeste se kush është viktimë para se t’i vinte në ndihmë. Pastaj do të kalonte shpirti i mbuluar me mëshirë. Do të dinte se çdo qenie njerëzore është e plagosur në një vend që nuk shihet.

Pse shpirti nuk e ka pistën e tij të modës?

Sepse bukuria e tij nuk tregohet me ecje, por me veprime. Bukuria e shpirtit shihet kur njeriu ka pushtet, por nuk bën padrejtësi; kur është i lënduar, por nuk bëhet kriminel; kur mund të hakmerret me poshtërim, por zgjedh dinjitetin; kur askush nuk do ta fajësonte për urrejtje, por ai e ruan zemrën nga urrejtja.

Bukuria e shpirtit shihet kur njeriu vepron të mirën që askush nuk do ta fotografojë. Kur ushqen të uriturin pa e shpallur. Kur fal pa dëshmitarë. Kur qan natën për mëkatet e veta, por ditën nuk gjykon i të tjerët. Kur e mbron nderin e dikujt edhe pse nuk përfiton prej tij. Kur e thotë të vërtetën edhe kur ajo ia heq privilegjin. Këto janë rroba që nuk mund të blihen. Ato qepen me gjilpërë provash, me fije durimi dhe me dorën e qëllimit të sinqertë. Çmimi i tyre nuk është paraja, por lufta me vetveten.

Dy plakje

Trupi plaket edhe kur njeriu e kundërshton këtë. Shpirti mund të mbetet i pjekur edhe në trup të plakur, por mund të piqet derisa të bëhet i qetë. Ka fytyra pa rrudha pas të cilave fshihet një shpirt i lodhur. Ka fytyra të rrudhosura nga të cilat rrezaton paqe. Ka të rinj që shpresa u është plakur dhe të moshuar që zemra u mbetet e re para mëshirës së All-llahut. Trupi i numëron vitet. Shpirti i numëron kuptimet. Trupi dobësohet duke ecur mbi tokë. Shpirti mund të forcohet duke ecur drejt Krijuesit.

Në fund, njeriu i heq të gjitha rrobat e pozitës shoqërore, pasurisë, famës dhe pushtetit. Në udhëtimin e fundit nuk e mban markën e rrobave të tij, titullin, numrin e ndjekësve apo bukurinë e fytyrës. Ai mbështillet me një pëlhurë të thjeshtë, si një paralajmërim i fundit tokësor se të gjitha dallimet për të cilat krenohemi ishin të përkohshme. Atëherë trupi mbetet në tokë. Por njeriu nuk shkon tek Zoti me atë që mbante mbi vete, por me atë që mbante brenda vetes.

Shfaqja që tashmë ekziston

Shfaqja e veshjeve për shpirtin, në të vërtetë, ekziston. Thjesht nuk njoftohet me reklama. Ajo zhvillohet çdo ditë. Ajo zhvillohet kur dikush na ofendon dhe shfaqet nëse jemi të veshur me durim apo me zemërim. Ajo zhvillohet kur marrim një pozitë dhe shihet nëse i mbajmë rrobat e shërbimit apo mantelin e mendjemadhësisë. Ajo zhvillohet kur e takojmë një të dobët dhe zbulohet nëse jemi të veshur me mëshirë apo me arrogancë. Ajo zhvillohet kur mbetemi vetëm, larg syve të njerëzve, dhe shfaqet nëse morali ynë ishte bindje apo shfaqje. Çdo provë është reflektor. Çdo vendim është hap. Çdo vepër e zbulon veshjen e shpirtit.

Para njerëzve mund të paraqitemi ndryshe nga ç’jemi. Para All-llahut nuk mundemi. Njerëzit e shohin prerjen, por All-llahu e sheh qëllimin. Njerëzit e shohin ngjyrën e rrobës, por All-llahu e shikon ngjyrën e zemrës. Njerëzit i dëgjojnë fjalët, por Krijuesi e di nga cili burim kanë rrjedhur.

Prandaj, surpriza më e madhe e shfaqjes së fundit do të jetë që shumë nga ata që në tokë dukeshin madhështorë, para përjetësisë do të qëndrojnë shpirtërisht lakuriq, ndërsa ata të padukshmit, të varfërit dhe të përbuzurit do të jenë të veshur me dritën e veprave të tyre të mira të qeta.

Kthimi në ekuilibër

Nuk është e nevojshme t’i fikim të gjitha pasqyrat e trupit. Duhet të vendosim një pasqyrë para shpirtit dhe ta pyesim veten çdo mëngjes: me çfarë do ta vesh sot shpirtin tim? A do ta vesh me të vërtetën kur do të jetë më lehtë të gënjej? A do ta mbuloj me mëshirë kur të kem të drejtë të jem i ashpër? A do t’i vë një shami turpi kur askush përveç All-llahut nuk më sheh? A do ta zbukuroj me mirënjohje në vend të pakënaqësisë së vazhdueshme? A do ta mbroj nga zilia, që së pari e djeg zemrën ku banon? A do t’ia vesh rrobat e faljes, jo sepse padrejtësia është e vogël, por sepse nuk dua që urrejtja të bëhet lëkura ime e dytë? Këto janë pyetje të bukurisë së vërtetë.

Sepse i bukur nuk është vetëm ai që njerëzit duan ta shohin. I bukur është ai në praninë e të cilit njerëzit nuk ndjejnë frikë, poshtërim apo turp për atë që janë. Fytyra më e bukur nuk është ajo pa rrudha, por ajo ku nuk ka mbetur shenjë përbuzjeje ndaj të tjerëve. Sytë më të bukur nuk janë ata që mbahen mend për ngjyrën e tyre, por ata që e vërejnë dhimbjen e të tjerëve. Duart më të bukura nuk janë ato që mbajnë bizhuteri, por ato që e ngrijnë atë që ka rënë. Buzët më të bukura nuk janë ato që i tërheqin shikimet, por ato që nuk thonë gënjeshtra, shpifje dhe fjalë që e vrasin shpresën.

Pasqyra e fundit

Do të vijë dita kur trupi nuk do të mund të qëndrojë më para pasqyrës. Sytë që e adhuronin bukurinë e tij do të mbyllen. Duart që e kujdeseshin do të ulen. Rrobat për të cilat njeriu ishte krenar do të mbeten në dollap. Të tjerët mund t’i veshin ose hedhin, ndërsa trupi do të vendoset në tokë pa asnjë zbukurim që dikur e dallonte. Atëherë do të mbetet vetëm ajo që nuk mund të fotografojë: qëllimi, besimi, mirësia, padrejtësia, falja, dashuria, tradhtia, loti, lutja dhe gjurmët që kemi lënë në shpirtin e njerëzve të tjerë. Toka do ta marrë atë që i takon. Tek All-llahu do të kthehet ajo që i takon Atij.

Prandaj, urtësia nuk qëndron në përbuzjen e trupit, por në vendosjen e tij në shërbim të shpirtit. Të shohim me sy të pastër, të flasim me gjuhë të vërtetë, të punojmë me duar të drejta, të ecim në rrugën e mirë dhe të mbajmë zemrën zgjuar para Zotit.

Trupi është veshja që shpirti e mban gjatë kohës. Ai do ta konsumojë, sa të kujdesemi për të. Shpirti i veshur me frikë nga All-llahu, të vërtetën, turpin, mëshirën dhe veprat e mira nuk del nga moda. Bukuria e tij nuk zbehet me kalimin e viteve. Ajo bëhet gjithnjë e më e dukshme sa më shumë i afrohet Burimit të saj.

Prandaj, kur të shohim përsëri në pasqyrë, të mos pyesim vetëm: “Si dukem sot?” Por të pyesim: “Si duket shpirti im sot?” A është i veshur apo i zhveshur? A është i pastër apo i mbuluar me pluhurin e mëkateve? A është i lirë apo i robëruar nga shikimet e të tjerëve? A është i gjallë apo vetëm banon në një trup të gjallë? Sepse veshja më e rëndësishme nuk është ajo me të cilën do të dalim para njerëzve, por ajo me të cilën do të dalim para Krijuesit.

Dhe shfaqja më e bukur nuk është ajo ku trupi tërheq më shumë shikime, por ajo ku shpirti, i qetë dhe i veshur me mëshirën e Zotit, dëgjon thirrjen: “O shpirti im i qetë, kthehu tek Zoti yt i kënaqur, dhe Ai është i kënaqur me ty, prandaj hy në mesin e robërve të Mi dhe hy në Xhennetin Tim! (El-Fexhr, 27–30).

Kjo është shfaqja përfundimtare e bukurisë. Pa reflektorë kalimtarë. Pa masa të rreme. Pa tregti me trupin. Vetëm shpirti, Zoti i tij dhe e vërteta për atë se si njeriu u veshi ndërsa jetonte në tokë.

Autor: Mustafa Cerić

Përkthim,
[islampress.ch]

NA NDIQ NË FACEBOOK