Kosovë
Tre mërgimtarët vdiqën derisa po ktheheshin nga Kosova, dalin detaje për aksidentin tragjik në Gjermani

Tre shtetas të Kosovës kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi të enjten në Gjermani, ndërsa po ktheheshin nga Kosova.
Aksidenti i rëndë ndodhi në autostradën A3 pranë Nittendorf mëngjesin e djeshëm dhe po ashtu pati pasoja të gjera për trafikun hekurudhor dhe rrugor.
Tre kosovarët vdiqën, dhe një tren rajonal mbeti i bllokuar për shkak të linjave të energjisë elektrike të dëmtuara dhe u desh të evakuohej.
Aksidenti ndodhi kur automjeti doli nga rruga në autostradën A3 pranë Nittendorf dhe u përplas me shinat hekurudhore poshtë.
Mediat gjermane kanë raportuar për aksidentin, por nuk kanë bërë të ditur shtetësinë e viktimave. Identiteti i tyre është konfirmuar më pas nga familjarët, të cilët kanë njoftuar se bëhet fjalë për tre qytetarë nga Kosova.
Në mesin e viktimave është edhe një 16 vjeçar.
Sipas gjetjeve fillestare, makina ka dalë nga rruga në të djathtë rreth orës 7 të mëngjesit pa përfshirjen e ndonjë automjeti tjetër. Shkaku i aksidentit dhe mënyra se si makina përfundoi në shina mbeten të paqarta.
“Hetimi i policisë për aksidentin është duke vazhduar. Kjo përfshin vlerësimin e gjetjeve nga raporti i aksidentit dhe mendimin e ekspertit të konsultuar”, kanë thënë nga policia gjermane.





















