Shqipëri
Të besosh të pabesueshmen

Por Spajiç, teksa flet për urët e këtij zjarri, premton se këto përpjekje nuk do ta ndryshojnë kursin e këtij vendi dhe nuk do ta ndalin atë në rrugën e Bashkimit Europian. Presidenti i Malit të Zi ka thirrur pas kësaj mbledhjen e Këshillit të Mbrojtjes të hënën që vjen. Media malazeze është në qendër të kësaj loje, pasi kryeministri, dashur, padashur u dha viston atyre të spekullojnë më tej. Por, ç’po ndodh pas kësaj? Mediat vazhdojnë të zhurmojnë dhe të përplasen midis tyre. Gazeta tjetër “Dan” e zëvendëson Shqipërinë me Kroacinë në këtë mishmash të krijuar. Loja e kungulleshkave i zgjeron përmasat e veta. Paragjykimet mbeten përsëri.
Dyshimet apo akuzat e ngritura, që normalisht bëhen shqetësime, kërkohet të shtrihen litarë, që arkitektët e tyre t’ia kenë arritur modelit të thirrur. Qëllimi është i qartë: Të besohet e pabesueshmja. Ministria Shqiptare e Europës dhe Punëve të Jashtme, nëpërmjet kryediplomatit të saj, reagoi menjëherë, duke hedhur poshtë çdo insinuatë, të gatuar nga kushdoqoftë, për përfshirje të Shqipërisë në destabilizimin e Malit të Zi. Shqipëria, pjesë e skenarëve destabilizues ndaj vendit fqinj dhe mik të saj?! O tempora, o mores! A mund ta besonte dhe ta besojë njeri këtë?
Koha flet kthjellët. Realiteti shpreh të kundërtën. Anëtarësimi i Malit të Zi në Aleancën e Atlantikut të Veriut, në qershor të vitit 2017, si anëtar i 29-të, kaloi jo pa vështirësi të njohura për të, përmes sfidash. Ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë së saj në vitin 2006. Kërcënimet ruse bëheshin të shpeshta përballë vendosmërisë së këtij vendi për t’iu bashkuar NATO-s. Ato patën mbështetje edhe forcat proserbe brenda kësaj republike të vogël, por dhe Kishën Ortodokse Serbe. Ndaj dhe ish kreu i Aleancës, në prag të pranimit të Malit të Zi, do të pohonte se NATO ishte në dijeni të ndikimit të rritur rus në Ballkan dhe intervenimit në proceset politike në Malin e Zi.
Parlamenti i Shqipërisë, me ratifikimin e Protokollit për anëtarësimin e vendit fqinj në Aleancën e Atlantikut të Veriut, ndër vendet e para firmosi për këtë anëtarësim.
I njëjti skenar, por me formate të ndryshëm dhe tani për të penguar anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Marrëdhëniet e partneritetit, të miqësisë midis dy vendeve nuk kanë shumë nevojë për komente:
Popujt e të dy vendeve lëvizin lirisht te njëri-tjetri, me kartë identiteti, sikurse qarkullimi i mallrave. Është shtuar numri i pikave kufitare, i cili nuk shihet si më parë si rrezik, por për lehtësi të bashkëpunimit ndërkufitar. Flet pa ngërçe forcimi i bashkëpunimit ekonomik në fusha të ndryshme, si në energjitikë, turizëm, në transportin detar, shkëmbimet në fushën e kulturës, arsimit. Takimet e përbashkëta midis dy qeverive, jo vetëm i kanë afruar ato me njëra tjetrën, por marrëdhëniet i ka bërë më solide, që ato të mos helmatisen dhe besimi të jetë i ndërsjelltë, kundër hijeve që faniten.




















