Sport
Rusi i Shqipërisë kundër shqiptarit të Maqedonisë së Veriut

Në “Wojtyla Sport Hall” të Martina Franca, do të zhvillohet finalja e peshës 74 kilogramë në mundje të lirë në mes të Islam Dudaev dhe Fati Vejselit, transmeton Albanianpost.
Rusi e përfaqëson Shqipërinë, ndërsa shqiptari është përfaqësues i Maqedonisë së Veriut.
Për të arritur deri në finale, Dudaev, fitoi ndaj Egzon Xhonit të Kosovës, Mohammad Mottaghinia të Spanjës dhe Georgios Ioakeimidis.
Në anën tjetër, Vejseli ka zhvilluar një turne shumë të fortë, duke kaluar dy kundërshtarë të vështirë për të siguruar një vend në finalen për medaljen e artë.
Kjo finale ka edhe një histori interesante, pasi Dudaev dhe Vejseli janë përballur më parë në gjysmëfinalen e Lojërave Mesdhetare “Oran 2022”.
Në atë duel, Dudaev fitoi 7–2 dhe më pas vazhdoi deri në finale, ku mori medaljen e argjendtë.
Katër vjet më vonë, Vejseli kërkon hakmarrjen, ndërsa Dudaev synon të ndryshojë ngjyrën e medaljes nga e argjendit në të arit./ZYRTARE.net/





















