Lajme
Osmani: Ligji për prëfaqësim adekuat, si ligji sërb i 90-ve në Kosovë, Azizi: Patriotizmi juaj fillon në Facebook, historia përfundon në Beograd

Nënkryetari i BDI-së Bujar Osmani kritikoi VLEN-in dhe ligjin për përfaqësim të drejtë duke thekuar se më shumë duket si ligji sërb i 90-ve në Kosovë dhe si i tillë lirisht mund të quhet tradhëti, ndërsa ndaj këtij qëndrimi reagoi deputeti i VLEN, Adnan Azizi, duke e akuzuar këtë të fundit për, siç thotë ai, përpjekje për të “shitur patriotizëm”, ndërsa kujton periudhën kur Osmani drejtonte Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Në reagimin e tij, Azizi pretendon se gjatë mandatit të Osmanit, marrëdhëniet me Serbinë ishin në nivelin më të lartë, duke theksuar se Beogradi ishte destinacion i shpeshtë i vizitave zyrtare, ndërsa, sipas tij, nuk pati asnjë vizitë zyrtare në Kosovë.
“Sa ishte ministër, Bujar Osmani e vizitonte Beogradin më shpesh se Rrahman Morina”, shkruan Azizi.
Ai më tej pretendon se në të njëjtën periudhë u promovua iniciativa “Ballkani i Hapur”, të cilën e cilëson si projekt ruso-serb, ndërsa akuzon drejtuesit e BDI-së se zhvillonin takime të shpeshta me përfaqësues serbë dhe rusë.
Në reagim, Azizi përmend edhe kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, duke pretenduar se ai “rehabilitonte Vuçiqin” përmes takimeve të zhvilluara gjatë vizitave të presidentit serb në Maqedoninë e Veriut.
Deputeti i VLEN-it akuzon gjithashtu BDI-në se ka sjellë ndikimin serb në skenën politike shqiptare dhe se në Kumanovë ka legalizuar përdorimin e gjuhës serbe para se, sipas tij, shqiptarët të gëzonin plotësisht të drejtën e përdorimit të gjuhës së tyre.
Në fund të reagimit, Azizi thotë se situata ka ndryshuar dhe se sot, sipas tij, nuk ka vizita të shpeshta në Beograd nga përfaqësuesit shqiptarë të pushtetit, nuk ka koordinime politike me Serbinë dhe nuk ka politika të kushtëzuara nga interesat e saj.
“Historia nuk harrohet, dhe as qytetarët nuk mashtrohen aq lehtë”, përfundon reagimi i deputetit të VLEN-it./ZYRTARE.net/
















