Lajme
“Nuk do të ndalemi këtu” – Mexhiti paralajmëron vende të reja pune në shtator

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se sot në Spitalin Klinik të Tetovës janë ndarë 109 vendime pune për kuadrin që prej kohësh ka qenë i angazhuar në këtë institucion.
Sipas Mexhitit, bashkë me 36 vendimet e ndara më herët, tashmë gjithsej 145 pjesëtarë të stafit kanë të rregulluar statusin e tyre të punës.
Mexhiti, së bashku me bashkëkryetarin e VLEN Bilall Kasami njëherit edhe kryetar i Komunës së Tetovës, dhe drejtorin e Spitalit Klinik të Tetovës, Erzen Elezin, ka takuar një pjesë të stafit që sot mori vendimet e punës.
Pjesa më e madhe e vendeve të punës u dedikohet profileve mjekësore, përfshirë mjekë, laborantë, biokimistë, infermierë dhe kuadro të tjera të nevojshme për funksionimin e spitalit. Në këtë proces janë përfshirë edhe 28 specializantë dhe 10 punëtorë teknikë.
Mexhiti ka paralajmëruar se procesi do të vazhdojë edhe gjatë muajit shtator, kur pritet të hapen vende të reja pune për specializantë, ndihmës-infermierë dhe administratë.
“Po punojmë që Spitali Klinik i Tetovës të ketë kuadrin që i nevojitet dhe qytetarët të marrin shërbimin shëndetësor që meritojnë”, ka deklaruar Mexhiti, duke e përmbyllur mesazhin me sloganin politik të VLEN-it: “Sepse ne e mbajmë fjalën.”

















