Lajme
Mustafa Dauti: Korriku shënoi arkëtimin më të lartë mujor në histori

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Doganave, Mustafa Dauti, ka njoftuar se institucioni ka shënuar rezultate rekord në arkëtimin e të hyrave gjatë muajit korrik.
Sipas Dautit, në korrik janë arkëtuar 14,14 miliardë denarë, që paraqet nivelin më të lartë historik të të hyrave mujore të realizuara nga Drejtoria e Doganave. Krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kjo është një rritje prej 1,5 miliardë denarësh, ose 11,8 për qind.
Ai theksoi se këto rezultate janë dëshmi se sistemi i ndërtuar gjatë dy viteve të fundit ka rritur kapacitetin e shtetit për të gjeneruar më shumë të hyra në buxhet.
Dauti bëri të ditur gjithashtu se, në mënyrë kumulative, nga fillimi i vitit deri në fund të korrikut, Drejtoria e Doganave ka realizuar 80,5 miliardë denarë, ose rreth 1,3 miliardë euro të hyra.
Sipas tij, kjo paraqet një rritje prej 87,6 milionë eurosh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke e cilësuar këtë si tregues të vazhdimit të trendit pozitiv në mbledhjen e të hyrave doganore.














