Connect with us

Lajme

Murseli reagon ashpër në këshillin e Butelit: Nxënës ka, pse duhet të mbyllet paralelja shqipe në “Penko”?

Publikuar

Këshilltari komunal në Komunën e Butelit, Armend Murseli, ka reaguar ashpër në seancën e 14-të të Këshillit Komunal, ku së bashku me këshilltarët e tjerë shqiptarë ka kërkuar që në rend dite të vendoset për votim mosmbyllja e paraleles në gjuhën shqipe dhe pranimi i fëmijëve të Çairit në Shkollën Fillore “Petar Zdravkovski” – Penko.

Murseli në fjalën e tij është përqendruar veçanërisht te çështja e rajonizimit të shkollave, duke kërkuar sqarim se si mund të përdoret rajonizimi si argument për mospranimin e nxënësve shqiptarë, ndërkohë që i njëjti vendim ka qenë në fuqi edhe në vitet e mëparshme.

“Nëse vendimi për rajonizimin është i njëjtë si para dy viteve, atëherë shtrohet pyetja: pse vitet e kaluara nxënësit nga Komuna e Çairit janë pranuar në shkollë, ndërsa këtë vit nuk pranohen?”, ka theksuar Murseli.

Sipas tij, vendimi për rajonizimin nuk mund të interpretohet në mënyrë selektive dhe të përdoret si bazë për të penguar regjistrimin e nxënësve, veçanërisht kur ekzistojnë dispozita që lejojnë regjistrimin e nxënësve nga një rajon ose komunë tjetër në rast se ka vende të lira.

Murseli i është referuar edhe nenit 7, i cili parashikon mundësinë e regjistrimit të nxënësve nga një rajon ose komunë tjetër kur në shkollë ka vende të lira, si dhe nenit 9, i cili përcakton se përparësi gjatë regjistrimit kanë nxënësit që jetojnë deri në 2 kilometra pranë shkollës.

“Ligji është i qartë. Nuk mund të përdoret rajonizimi si arsyetim për të mbyllur një paralele në gjuhën shqipe, ndërkohë që ka fëmijë që duan të regjistrohen dhe prindër që kanë kërkuar pranimin e tyre”, është shprehur Murseli.

Ai ka ngritur gjithashtu pyetjen se përse nuk hapet një paralele në gjuhën shqipe në SHF “Kliment Ohridski”, kur një numër i konsiderueshëm i fëmijëve shqiptarë nga zonat e Butelska, Lumi i Seravës, Rasteku dhe Radishani detyrohen të udhëtojnë drejt shkollave të tjera.

“Paradoksi është i qartë: nga njëra anë nxënësit refuzohen në emër të rajonizimit, ndërsa nga ana tjetër numri i pamjaftueshëm i nxënësve përdoret si argument për mbylljen e paraleles shqipe. Nëse nxënës ka dhe nëse prindërit kërkojnë që fëmijët e tyre të mësojnë në gjuhën shqipe, atëherë duhet të gjendet zgjidhje, e jo të mbyllet paralelja”, ka deklaruar Murseli.

Në fund të debatit, këshilltarët shqiptarë kërkuan që çështja e mosmbylljes së paraleles në gjuhën shqipe në SHF “Petar Zdravkovski – Penko” të hidhet në votim, në mënyrë që secili këshilltar të deklarohet qartë për qëndrimin e tij.

Megjithatë, në votim këshilltarët shqiptarë u mbivotuan, pas së cilës, në shenjë pakënaqësie dhe proteste ndaj mënyrës se si u trajtua kjo çështje, ata lëshuan seancën e Këshillit Komunal.

Këshilltarët shqiptarë theksuan se do të vazhdojnë të kërkojnë transparencë, respektimin e ligjit dhe zgjidhje për nxënësit shqiptarë, duke kundërshtuar çdo vendim që cenon të drejtën e tyre për arsimim në gjuhën shqipe.

NA NDIQ NË FACEBOOK