Religjion
Muhammedi a.s. – I Dërguari i lajmit të gëzueshëm dhe i shpresës

Dymbëdhjetë rebiul-evveli është dita që na kthen te kujtimi i lindjes së të Dërguarit të fundit të Allahut, Muhamedit (savs), njeriut me ardhjen e të cilit në botë njerëzimit i erdhi lajmi më i gëzueshëm: lajmi për Shpalljen, e cila do ta nxirrte njeriun nga errësirat e padijes në dritën e besimit, nga humbja e lajthitjes në rrugën e udhëzimit dhe nga robëria ndaj krijesave në lirinë e adhurimit vetëm të Allahut.
Muhamedi (savs), ishte Pejgamberi që sillte lajme të gëzueshme, siç thuhet në ajetin: “O Pejgamber! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të gëzueshëm dhe si paralajmërues.” (El-Ahzab, 45).
Pikërisht ky dimension i misionit të tij pejgamberik është me rëndësi të veçantë për kohën tonë. Sepse njeriu mund të përballojë shumë gjëra përderisa në vete mbart shpresën. Ai mund ta përballojë fatkeqësinë, humbjen, disfatën dhe padrejtësinë nëse beson se ajo që sot duket si fund, nuk është domosdoshmërisht edhe fundi përfundimtar. Por, kur shuhet shpresa, njeriu shpesh e humb edhe forcën për të luftuar për atë në të cilën beson.
Prandaj, i Dërguari i Allahut (savs), fuste shpresë në zemrat e besimtarëve edhe atëherë kur rrethanat tregonin se për të nuk kishte vend.
Drita e shpresës dhe e lajmeve të gëzueshme ishte e lidhur me personalitetin e të Dërguarit të Allahut (savs) edhe para lindjes së tij, në ditën e lindjes së tij, si dhe pas lindjes së tij.
Para lindjes së tij, ardhjen e tij e paralajmëroi dhe e përgëzoi Isai, alejhis-selam, kur tha: “Kujto kur Isai, i biri i Merjemes, tha: “O Benu Israilë, unë jam i dërguari i Allahut tek ju, për t’ju vërtetuar Tevratin e shpallur para meje dhe për t’ju sjellë lajmin e gëzueshëm për një të dërguar, emri i të cilit është Ahmed, që do të vijë pas meje.” Por, kur ai u solli atyre shenja të qarta, ata thanë: “Kjo është magji e hapur!” (Es-Saff, 06).
Në vetë ditën e lindjes së tij u shfaqën lajme të gëzueshme dhe shenja të një ngjarjeje të madhe. I Dërguari i Allahut (savs), ka thënë: “Nëna ime pa sikur prej saj doli një dritë që i ndriçoi pallatet e Shamit.” (Hadithin e transmetojnë Ibni Hibani dhe El-Hakimi).
Në disa transmetime thuhet gjithashtu se natën e lindjes së tij u trondit pallati i Kisras dhe prej tij ranë katërmbëdhjetë kulla.
Në vitin e lindjes së tij ndodhi edhe ajo që Kurani e ruan si dëshmi të përhershme: Ebreha, tirani që u nis drejt Mekës për ta rrënuar Qabenë, së bashku me ushtrinë e tij, pësoi disfatë të plotë.
Allahu i Lartësuar shpalli: “Vallë, a nuk ke dëgjuar ti se si bëri Zoti yt me njerëzit e elefantit? – A nuk ua prishi atyre kurthin, – duke dërguar kundër atyre tufa zogjsh, – të cilët i gjuajtën me gurë prej baltës së pjekur? – Dhe kështu, i bëri si byk i ngrënë.” (El-Fil, 01–05).
LAJMI I GËZUESHËM GJATË RRETHIMIT
Lajmet e gëzueshme ishin vazhdimisht të pranishme në mënyrën e jetës së të Dërguarit dhe në praktikën e tij pejgamberike. Ato zgjonin shpresën dhe e largonin dëshpërimin nga zemrat e sahabëve të tij, si dhe nga zemrat e atyre që do të vinin pas tyre.
Kjo shihet veçanërisht qartë në një nga çastet më të vështira të jetës së tij pejgamberike, në Betejën e Hendekut. Medina ishte e rrethuar nga të gjitha anët, ushtritë armike po vërshonin nga jashtë, ndërsa rreziku kërcënonte edhe nga brenda, nga munafikët dhe nga fisi hebre Benu Kurejdha, i cili e kishte prishur marrëveshjen me muslimanët dhe haptazi ishte rreshtuar në anën e armikut.
Kurani e përshkruan atë gjendje të muslimanëve: “Ata ju sulmuan nga lart dhe nga poshtë, kështu që sytë tuaj u errësuan, zemrat ju erdhën në fyt dhe besimi juaj tek Allahu u lëkund. – Aty besimtarët u vunë në provë dhe u tronditën si nga një tronditje e fuqishme.” (El-Ahzab, 10–11).
Në ato rrethana të vështira, i Dërguari i Allahut (savs), nuk lejonte që dëshpërimi të sundonte mbi zemrat. Përkundrazi, ai shpresonte të mirën dhe sillte lajme të gëzueshme.
Në transmetimin e Bera bin Azibit, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcillet se, derisa po hapnin hendekun, u ndeshën me një shkëmb të madh të cilin nuk mund ta thyenin. Për këtë iu ankuan të Dërguarit të Allahut (savs). Ai erdhi, e mori kazmën dhe tha: “Bismilah!” E goditi me të dhe theu një të tretën e shkëmbit, pastaj tha: “Allahu Ekber! Më janë dhënë çelësat e Shamit. Pasha Allahun, pikërisht tani para vetes po i shoh pallatet e tij të kuqe!”
Pastaj e goditi për herë të dytë dhe theu një të tretën tjetër të shkëmbit, duke thënë: “Allahu Ekber! Më janë dhënë çelësat e Persisë. Pasha Allahun, pikërisht tani para vetes po e shoh pallatin e bardhë në Medain!”
Kur e goditi për herë të tretë dhe e theu pjesën e mbetur të shkëmbit, tha: “Allahu Ekber! Më janë dhënë çelësat e Jemenit. Pasha Allahun, pikërisht tani nga ky vend i i shoh portat e Sanasë!”
Kurani është i mbushur me pamje shprese dhe lajme të gëzueshme që shfaqen në mes të dhimbjes, lotëve dhe sprovave, duke zgjuar në zemrat e të Dërguarit të Allahut (savs), të sahabëve të tij dhe më pas të tërë umetit, bindjen e fortë se Allahu i Lartësuar nuk do t’i braktisë robërit e Tij të sinqertë dhe se Ai do ta plotësojë dritën e Tij, edhe nëse kjo është e urryer për jobesimtarët.
Allahu i Lartësuar thotë: “Mos u ligështoni dhe mos u pikëlloni, sepse ju, gjithsesi jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë të vërtetë. – Nëse ju ka goditur ndonjë plagë, edhe popullin (armik) e kanë goditur të tilla plagë. Ato ditë (fitoreje dhe humbjeje) Ne i ndërrojmë midis njerëzve, që Allahu t’i dallojë besimtarët dhe për t’i bërë disa nga ju shehidë. Allahu nuk i do keqbërësit. – E kështu, Allahu i dëlir besimtarët e i shuan jebesimtarët.” (Alu Imran, 139–141).
Këto fjalë nuk u shpallën në kohën e sigurisë, mirëqenies dhe entuziazmit të fitores. Ato erdhën pas Uhudit – pasi ajo që dukej si fitore e sigurt u shndërrua në disfatë të rëndë, si pasojë e së cilës u vranë shtatëdhjetë sahabë, ndërsa edhe vetë i Dërguari (savs), u plagos rëndë. Ebu Sufjani dhe politeistët e Kurejshit u gëzuan për atë që kishte ndodhur.
Në një çast të tillë, kur forca njerëzore ishte në kufijtë e qëndrueshmërisë, erdhi lajmi i gëzueshëm nga Qielli.
Ai erdhi për t’ua zbuluar kuptimin e sprovës, për t’i kthyer te Zoti i tyre, për t’u treguar se ku kishin gabuar, për t’i pastruar zemrat e tyre nga dobësia dhe për t’i paralajmëruar për shkaqet e dobësisë dhe dështimit.
Gjendja e muslimanëve para shpalljes së këtyre ajeteve ishte jashtëzakonisht e rëndë. E si të mos ishte e tillë, kur sahabët, nga fuqia e asaj që i kishte goditur, kishin mbetur pa fjalë dhe, të hutuar, heshtnin të mbledhur rreth të Dërguarit të Allahut (savs), ndërsa gjaku i rridhte nga fytyra e tij e bekuar.
Atëherë, në mes të pikëllimit dhe shqetësimeve që i kishin rënduar sahabët, erdhi Shpallja dhe lajmi i gëzueshëm që solli meleku Xhibril: “Mos u ligështoni dhe mos u pikëlloni, sepse ju, gjithsesi jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë të vërtetë.” (Alu Imran, 139).
Këtu mesazhi kuranor pushon së qeni vetëm kujtim historik dhe bëhet mesazh i gjallë për çdo kohë. Sa zemra muslimanësh janë sot të rënduara nga shqetësimi, pikëllimi dhe ndjenja e pafuqisë? Sa familje jetojnë mes rrënojave, urisë, dëbimit dhe frikës, sa njerëz çdo ditë shohin pamje dhune, poshtërimi dhe padrejtësie, e pastaj pyesin: deri kur? Kur do të ndryshojë kjo gjendje? A do të mbetet padrejtësia përgjithmonë kaq e fuqishme, ndërsa muslimanët kaq të pafuqishëm?
Pikërisht momente të tilla kërkojnë që të kthehemi te fjalët e Allahut, të cilat atëherë ishin ngushëllim dhe shërim për zemrën e të Dërguarit të Allahut (savs) dhe për zemrat e sahabëve të tij. Ato zgjojnë shpresën, bindjen e fortë dhe qëndrueshmërinë në përballjen me sprovat: “Ato ditë (fitoreje dhe humbjeje) Ne i ndërrojmë midis njerëzve, që Allahu t’i dallojë besimtarët dhe për t’i bërë disa nga ju shehidë.” (Alu Imran, 140).
Kur, në kohën e të Dërguarit të Allahut (savs), Persianët, të cilët ishin adhurues të zjarrit, i mposhtën rëndë Bizantinët, të cilët ishin të krishterë, lajmi për këtë arriti te muslimanët dhe i pikëlloi ata, ndërsa politeistët e Kurejshit e festuan fitoren e adhuruesve të zjarrit dhe në të panë një mundësi për t’u tallur me muslimanët.
Atëherë erdhi Shpallja, e cila e tejkalonte logjikën e çastit: “Elif, Lâm, Mîm. – U mundën bizantinët, – në afërsi të tokës (arabe), por pas thyerjes së tyre, me siguri do të fitojnë – brenda disa vjetëve. Me të vërtetë, është vendimi i Allahut, si për të parën dhe për të dytën. Dhe, atë ditë, do të gëzohen besimtarët.” (Er-Rum, 01–04).
Dhe vërtet, disa vite më vonë, Bizantinët i mposhtën Persianët. Ajo që dukej si ndryshim i përhershëm i raportit të forcave u dëshmua se ishte gjendje kalimtare.
Por vlera e këtij lajmi kuranor nuk qëndron vetëm në atë se paralajmëroi një kthesë historike. Ai mbetet i pranishëm në vetëdijen e besimtarit se, edhe kur e pavërteta e ka çastin e saj të fitores, edhe e vërteta i ka çastet e saj të fitores.
Nëse e pavërteta sot e tregon fuqinë e saj, përhapet dhe tërbohet, kjo nuk është një gjendje që do të zgjasë përgjithmonë dhe që nuk do të ndryshojë kurrë. Pas këtij vërshimi dhe këtij rrethi do të vijë, me lejen e Allahut, një rreth i ri në të cilin fitorja përfundimtare do t’i takojë së vërtetës.
BESIMTARI JETON MES PREMTIMIT TË ALLAHUT DHE REALIZIMIT TË TIJ
Prandaj, derisa e kujtojmë lindjen e të Dërguarit të Allahut (savs), le të mbetet e gjallë në zemrat tona ajo që mbartte misioni i tij pejgamberik: mbështetja e fortë tek Allahu dhe shpresa që nuk shuhet përballë vështirësive dhe sprovave.
A nuk erdhi, pikërisht në vitin e lindjes së tij, lajmi për shkatërrimin e ushtrisë së tiranit arrogant që ishte nisur drejt Mekës me qëllim që ta rrënonte Qabenë? Ajo që dukej si një forcë e pandalshme u ndal para se ta realizonte qëllimin e saj.
Shumë vite më vonë, në kohën e Hudejbijes, kur muslimanët i pranuan kushtet e marrëveshjes që u rëndonin dhe që disa prej tyre i përjetonin si poshtërim, sipas njërit prej shpjegimeve të njohura, erdhi lajmi për fitoren e Bizantinëve ndaj Persianëve – pikërisht ajo fitore që Kurani e kishte paralajmëruar në kohën kur gjithçka tregonte për një përfundim të kundërt. Ky lajm solli gëzim në zemrat e plagosura të muslimanëve dhe ua kujtoi se raporti i forcave në një çast të caktuar nuk është gjykim përfundimtar.
Pastaj, pas disa shekujsh, në Damask, Halep dhe në vende të tjera të botës muslimane erdhi një lajm që tingëllonte pothuajse i pabesueshëm: ushtria mongole u mposht në Betejën e Ajn Xhalutit në Palestinë, në shtator të vitit 1260. Për mongolët flitej si për një forcë që ishte pothuajse e pamundur të ndalej, prandaj mes njerëzve qarkullonte shprehja: “Nëse dikush të thotë se mongolët janë mposhtur, mos i beso.”
Prandaj, derisa sot para syve tanë shohim padrejtësinë, vuajtjen dhe një forcë që duket pothuajse e paprekshme, nuk duhet të lejojmë që pesha e çastit të na e heqë mbështetjen e fortë tek Allahu. Ne nuk e dimë se kur do të vijë kthesa dhe as përmes cilës rrugë Allahu do ta hapë daljen. Por e dimë atë që është më e rëndësishmja: përfundimi përfundimtar nuk është në duart e njerëzve, shteteve dhe ushtrive, sado e madhe dhe e paarritshme të duket fuqia e tyre në një çast. Pushteti mbi përfundimin i takon Allahut.
Pas lajmit të gëzueshëm të sures Er-Rum vjen edhe urdhri i qartë që tregon se si duhet të jetojë besimtari mes premtimit dhe realizimit të tij: “Duro (o Muhamed), se, me siguri, premtimi i Allahut është i vërtetë dhe s’ke pse të humbasësh durimin kurrsesi nga ata që nuk besojnë! “ (Er-Rum, 60).
Sikur Kurani të na thotë me këtë: lajmi i gëzueshëm nuk është thirrje për pritje pasive, por për qëndrueshmëri. Shpresa nuk është e kundërta e veprimit, por forca e tij e brendshme. Ai që beson në premtimin e Allahut nuk ulet duarkryq duke pritur që rrethanat të ndryshojnë vetvetiu; ai mbetet besnik ndaj së vërtetës, bën atë që është në mundësinë e tij dhe me durim e përballon atë që nuk mund ta ndryshojë.
Kur na duket se rruga është tepër e gjatë, se nata është e errët, se forcat e së keqes janë tepër të mëdha ndërsa mundësitë tona tepër të vogla, le të mbetet në ne ajo që i mbante zemrat e brezave më të mirë: durimi pa dëshpërim, shpresa pa naivitet, veprimi pa panik dhe padurim, si dhe qëndrueshmëria që nuk varet nga pamja e çastit.
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)





















