Connect with us

Lajme

MMA dhe TVM kërkojnë hetim për funksionimin e kanaleve sportive Arena në Maqedoni

Publikuar

Asociacioni i Mediave të Maqedonisë (MMA), së bashku me Radio Televizionin Maqedonas (MRT), kërkon hetim për mënyrën e funksionimit të kanaleve sportive Arena M1, M2 dhe M3 Premium në Maqedoni.

Nga MMA dhe MRT thonë se kanë prova materiale se këto kanale për një periudhë të gjatë funksionojnë pa leje vendore, ndërsa AVMU i trajton si shërbime programore të huaja që ritransmetohen në Maqedoni.

Sipas tyre, produksioni, gazetarët, komentatorët dhe të ftuarit ndodhen në Shkup, emisionet studimore prodhohen në vend, ndërsa programi transmetohet në gjuhën maqedonase.

MMA dhe MRT theksojnë gjithashtu se Arena M1, M2 dhe M3 Premium nuk figurojnë në evidencën e rregullatorit serb REM, që sipas tyre nënkupton se nuk janë kanale vendore serbe. Ndërkohë, në evidencat e operatorëve të miratuara nga AVMU, ato figurojnë si shërbime të huaja që transmetojnë program në gjuhën serbe.

Ata kërkojnë nga organet hetimore dhe institucionet kompetente të përcaktojnë nëse me këtë mënyrë veprimi është anashkaluar detyrimi ligjor për licencë, nëse buxhetit i është shkaktuar dëm për shkak të mospagesës së licencës dhe nëse ekziston përgjegjësi te pronarët, personat përgjegjës të shërbimeve televizive dhe zyrtarët e AVMU-së.

Gjithashtu kërkohet të hetohet edhe përdorimi eventual i paautorizuar i të drejtave televizive për transmetimin e sporteve premium, i njohur si pirateri televizive.

Nga MMA dhe MRT thonë se problemi i ritransmetimit të paligjshëm të kanaleve të caktuara nga rajoni, përfshirë ato nga Kroacia, Shqipëria, Bosnja dhe Serbia, duhet të jetë në fokus të rregullatorit maqedonas.

Ata paralajmërojnë se nuk do të lejojnë që i njëjti model të aplikohet edhe për Euronews Macedonia, duke kërkuar që statusi i tij të përcaktohet në përputhje me ligjin.

MMA dhe MRT njoftojnë se do t’i drejtohen Prokurorisë Publike dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, për të hetuar veprimet dhe përgjegjësinë eventuale të personave kompetentë në AVMU.

NA NDIQ NË FACEBOOK