Lajme
Lija e dhenve dhe vaksinimi – Hoxha: Në koordinim me BE-në, të mbrojmë shëndetin e kafshëve dhe interesin ekonomik të blegtorëve

Situata me linë e dhenve në pjesën lindore të vendit po ndiqet vazhdimisht nga institucionet kompetente. Nga rreth 30 vatra të evidentuara, aktualisht aktive kanë mbetur 11, deklaroi zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, përmes Ambasadës së Turqisë, ka kërkuar 500 mijë doza vaksinash. Për vaksinimin jemi në koordinim me Bashkimin Evropian, pasi një vendim i tillë mund të ndikojë në eksportin e mishit të qengjit drejt vendeve të BE-së”, deklaroi Hoxha.
Ai theksoi se për këtë çështje ka qëndrime të ndryshme edhe mes blegtorëve. Në rajonet e prekura ka kërkesa për vaksinim, ndërsa blegtorët në pjesën perëndimore të vendit, ku sëmundja deri tani nuk është paraqitur, shprehin shqetësim se vaksinimi mund të ndikojë në eksport.
“Duhet të mbrojmë shëndetin e kafshëve, por njëkohësisht edhe interesin ekonomik të blegtorëve”, theksoi Hoxha.















