Kosovë
Ky është personi i ndaluar pas vdekjes së punëtorit në kantierin e “Shala Group”

Një ngjarje tragjike në një kantier ndërtimi në Prishtinë, ku një punëtor humbi jetën pasi ra nga lartësia, ka marrë tashmë edhe drejtim penal. Një person është intervistuar si i dyshuar dhe më pas është ndaluar për 48 orë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Xhemajl Shalën rreth 57-vjeçar , i cili është ndaluar në kuadër të hetimeve për vdekjen e punëtorit Florim Ramaj
Tragjedia ndodhi më 24 gusht, rreth orës 09:45, në një objekt të kompleksit “Shala Group”, në rrugën “Syri i Kaltër”, në drejtim të Hajvalisë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Policia u njoftua se një person kishte rënë nga lartësia në objektin ku po punonte.
Në vendngjarje mbërriti edhe ekipi i Emergjencës, por për Ramajn nuk kishte më shpëtim. Vdekja e tij u konstatua në vend.
Rasti mobilizoi menjëherë disa institucione. Në kantier dolën hetuesit policorë, Krimteknika, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Inspektorati i Punës dhe inspektorët komunalë.
Në vendngjarje doli edhe Prokurori i Shtetit, i cili udhëhoqi hetimet preliminare dhe kërkoi përfshirjen e një eksperti për të shqyrtuar çështjet që lidhen me përgjegjësinë për sigurinë në punishte.
Pikërisht kushtet e sigurisë në vendin e punës tashmë janë një nga pikat kyçe të hetimit.
Nga Inspektorati i Punës pritet raporti me të gjeturat lidhur me sigurinë në kantier, ndërsa konstatime të veçanta priten edhe nga eksperti i angazhuar nga Prokurori.
Në kuadër të veprimeve hetimore janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve inxhinieri i kompanisë dhe një punëtor.
Hetimet më pas kanë çuar te Xhemajl Shala.
Sipas burimeve të Sinjalit, Shala është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, në praninë e avokatit mbrojtës, ndërsa pas përfundimit të intervistimit Prokurori ka marrë vendim që ai të ndalohet për 48 orë.
Rasti po hetohet nën dyshimin për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Tashmë pritet që raporti i Inspektoratit të Punës dhe ekspertiza e kërkuar nga Prokuroria të hedhin dritë mbi një nga çështjet kryesore të hetimit: a ishin respektuar masat e sigurisë në kantier dhe kush mbante përgjegjësi për to në momentin kur Florim Ramaj humbi jetën.
Hetimet për rastin po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.




















