Kosovë
Gërvalla: Kosova nuk ka nevojë për një tjetër ngërç institucional

Ministrja në detyrë e drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë thirrje për dialog dhe marrëveshje politike për tejkalimin e situatës aktuale institucionale në Kosovë, duke kërkuar nga subjektet politike që interesin e Republikës ta vendosin mbi interesat partiake.
Përmes një postimi, Gërvalla u ka bërë thirrje liderëve politikë që të marrin pjesë në takimin e thirrur nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ku është diskutuar gjetja e një zgjidhjeje për situatën e krijuar.
“Ejani në takim! Të flasim!”, ka shkruar Gërvalla, duke theksuar se në tavolinën e dialogut duhet të kërkohet një zgjidhje që i shërben funksionimit të shtetit.
Sipas saj, të gjitha subjektet politike duhet të kontribuojnë përmes propozimit të emrave konkretë për një president konsensual.
“Kosova nuk ka nevojë për një tjetër ngërç institucional. Ka nevojë për përgjegjësi politike, dialog dhe marrëveshje”, është shprehur Gërvalla.
Ajo ka vlerësuar se marrëveshja nuk duhet të shihet si dobësi politike, por si përgjegjësi shtetërore, ndërsa shmangia e një krize institucionale e konsideron detyrim të të gjitha subjekteve politike.
Postimi i plotë:
Ejani në takim! Të flasim! Aty kontribuohet për zgjidhjen që i duhet shtetit! Kjo është pjekuri politike e përgjegjësi shtetërore. Gjithçka tjetër jashtë saj është ikje nga kjo përgjegjësi e përbuzje e besimit dhe vullnetit qytetar.
Kosova nuk ka nevojë për një tjetër ngërç institucional. Ka nevojë për përgjegjësi politike, dialog dhe marrëveshje.
Në këtë moment, interesat partiake duhet t’i lënë vend interesit të Republikës. Marrëveshja nuk është dobësi politike. Është përgjegjësi shtetërore. Shmangia e krizës institucionale nuk është çështje e një partie, por detyrim i të gjitha subjekteve politike ndaj qytetarëve të Kosovës dhe ndaj vetë Republikës.
Kush kërkon zgjidhje, nuk bën zhurmë dhe nuk i ikën tavolinës së dialogut. Kush kërkon përgjegjësi, nuk bën zhurmë dhe nuk i shmanget një takimi që mund të prodhojë marrëveshje. Dhe kush e vendos Republikën mbi interesin partiak e personal, nuk bën zhurmë dhe nuk e përdor krizën institucionale si instrument politik.
Në takimin e thirrur nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, znj. Albulena Haxhiu, u diskutua pikërisht nevoja për të gjetur një rrugëdalje nga situata aktuale e krijuar. Të gjitha subjektet politike duhet të kontribuojnë maksimalisht për zgjidhjen e çështjes së Presidentit, përmes propozimit të emrave konkretë për presidentin konsensual. Nuk kërkohet që të pajtohemi për gjithçka. Kërkohet të kemi guximin politik të gjejmë dakordimin për atë që është e domosdoshme për funksionimin e shtetit.
Ejani në takim! Të flasim! Aty kontribuohet për zgjidhjen që i duhet shtetit! Kjo është pjekuri politike e përgjegjësi shtetërore. Gjithçka tjetër jashtë saj është ikje nga kjo përgjegjësi e përbuzje e besimit dhe vullnetit qytetar.


















