Maqedoni
Dy deputetë bullgarë me ndalesë hyrje u shfaqën në një seancë gjyqësore në Koçan, ngrihen pikëpyetje

Dy deputetë nga partia bullgare „Rilindja“ („Vazrazhdane“) me fotografi në rrjetet sociale konfirmuan se kanë marrë pjesë në një seancë gjyqësore në Koçanë ndaj 23-vjeçares Iva Mihajlova, e cila ka shtetësi maqedonase dhe bullgare. Sipas njoftimit të Telma-s, prania e tyre ngre pyetje sepse, sipas dokumenteve gjyqësore, nga gushti i vitit të kaluar atyre u është shqiptuar një ndalesë njëvjeçare për hyrje në Maqedoni.
Bëhet fjalë për deputetët bullgarë Krsto Vrachev dhe Angel Georgiev, të cilët pas gjyqit drejtuan kritika për, siç shprehen ata, gjendjen me sundimin e së drejtës në Maqedoni dhe dërguan një mesazh te Bashkimi Evropian se po ushtrohet presion ndaj një vajze e cila deklarohet si bullgare.
Sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Manastir me shenjën PRK-O-263/25, gjithsej 27 anëtarëve të „Rilindjes“, midis të cilëve edhe Vraçev dhe Georgiev, u është shqiptuar një ndalesë njëvjeçare për hyrje në Maqedoni, si dhe gjoba kundërvajtëse prej 50 deri në 230 euro. Arsyeja, sipas aktvendimit, është kalimi ilegal i kufirit maqedonaso-grek dhe qëndrimi ilegal në vend në qershor të vitit të kaluar.
Pavarësisht kësaj, dy deputetët javën e kaluar janë shfaqur në sallën e gjyqit në Koçanë.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë deklaruar për Telma-n se nuk mund të ndajnë informacione për kalimin e kufirit shtetëror të personave konkretë me kërkesë të palëve të treta dhe kanë udhëzuar që për aktvendimin për ndalimin e hyrjes të kërkohet informacion nga Gjykata Themelore në Manastir.
„Ministria e Punëve të Brendshme nuk ndan informacione për hyrjen dhe daljen e personave me kërkesë të palëve të treta. Informacione të tilla dorëzohen ekskluzivisht me kërkesë të organit kompetent shtetëror ose të vetë personit për nevojat e tij personale, në përputhje me dispozitat ligjore“, deklarojnë nga MPB.
Gjyqi i referohet një lënde në të cilën Iva Mihajlova është e akuzuar për aksident komunikacioni me pasojë vdekjen. Ajo dhe mbrojtja e saj e mohojnë fajësinë dhe kërkojnë t’i kthehen pasaportat që të mund të mekohet në Sofje. Sipas avokatit të saj, pranë Gjykatës Themelore në Koçanë është dorëzuar një kërkesë e re, e mbështetur me mendim konsiliumar, ndërsa vendimi pritet gjatë javës së ardhshme.
















