Lajme
Dramë në një restorant në Kodër të Diellit – Menaxheri i thotë klientit se nuk ka vend të lirë, ai e grushton në mes të restorantit

Një incident i dhunshëm është raportuar në një objekt hotelerik në Kodër të Diellit, ku dy persona nga Shkupi dyshohet se kanë sulmuar fizikisht menaxherin e restorantit.Sipas informacioneve të para, dy personat kanë hyrë në restorant së bashku për të ngrënë ushqim.
Pasi menaxheri u ka bërë të ditur se në atë moment nuk kishte vend të lirë për t’u ulur, situata është tensionuar.Dy shkupjanët dyshohet se kanë filluar ta grushtojnë menaxherin, duke e rrëzuar atë në tokë. Gjatë përleshjes, sipas raportimeve, edhe kamarierë të tjerë kanë ndërhyrë për ta ndaluar konfliktin, madje dyshohet se kanë hedhur shishe qelqi në drejtim të personave të përfshirë në përleshje. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim te të pranishmit në objekt, ndërsa policia ka ndërhyrë dhe ka arrestuar dy personat nga Shkupi.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe policia e Tetovës.
“Më 15.08.2026, zyrtarët policorë nga Stacioni Policor Kodra e Diellit kanë privuar nga liria personat I.I. (34) dhe M.I. (29), që të dy nga Shkupi, për arsye se po atë ditë rreth orës 17:50, në një objekt hotelerik në rrugën rajonale Tetovë – Kodra e Diellit, kanë sulmuar fizikisht punonjësit G.A. (50) nga fshati Lisec, i cili ka pësuar lëndime të rënda trupore, dhe B.J. (47) nga Tetova, i cili ka pësuar lëndime trupore. Pas konsultimit me prokurorin publik, personat janë ndaluar për procedurë të mëtutjeshme, ndërsa në vendin e ngjarjes është kryer këqyrje nga një ekip i SPB Tetovë”, thuhet në reagimin e tyre./Tema.mk/















