Religjion
Çdo hap mund të jetë sunet

Është muaji rebiul-evvel, muaji i mevludit. Do të dëgjojmë shumë për të Dërguarin e Allahut, për atë që u dërgua si mëshirë për botët. Do të ishte e logjikshme, do të ishte e pritshme që atë që mësojmë edhe ta fusim në jetën tonë, ta jetojmë, sepse pikërisht për këtë mësohet. Mësohet që ajo që kemi mësuar të jetohet, që me veprat tona, duke ndjekur Sunetin, ta vërtetojmë pohimin tonë, të cilin shumë herë gjatë këtij muaji e kemi shprehur me gojë, se ai, (savs), është shembulli ynë.
Të jemi të qetë, sepse qetësia arrihet me përmendjen e Allahut, pra me vetëdijen e vazhdueshme për praninë e Tij. A nuk është thënë në Shpallje se me përmendjen e Allahut qetësohen zemrat dhe se besimtari forcohet në rrugëtimin e kësaj bote duke qenë i kënaqur me caktimin e Allahut? Këtë e kemi mësuar nga i Dërguari (savs) gjatë ditëve të rebiul-evvelit.
Të jemi të pastër dhe të rregullt, këtë e kemi mësuar nga i Dërguari (savs). A nuk është thënë se pastërtia është gjysma e besimit dhe se kjo pastërti nënkupton edhe pastërtinë e trupit, të rrobave dhe të vendit, jo vetëm nga papastërtia fizike, por edhe nga harami? Si mund ta vërtetojmë se Muhamedi, (savs), është shembulli ynë, nëse nuk kujdesemi për mbrojtjen e mjedisit, nëse nuk kujdesemi se çfarë hamë, nëse nuk shqetësohemi nëse ushqimi dhe furnizimi ynë janë hallall? I Dërguari (savs) na solli një ajet në të cilin ndalohet qartë që pasurinë e njëri-tjetrit ta konsumojmë dhe ta përvetësojmë në mënyrë të palejuar.
Të falim, ta tregojmë forcën e besimit dhe fuqinë e bindjes sonë, ta dëshmojmë dashurinë tonë ndaj të Dërguarit (savs) duke qenë të gatshëm t’ia falim gabimet vëllait dhe motrës sonë, të jetojmë në harmoni dhe mirëkuptim. Sepse ai që kërkon falje nga Allahu, edhe vetë fal; kështu na mësoi i Dërguari (savs).
Të ndajmë nga ajo që e duam, të mbrohemi nga zjarri përmes sadakasë – ja, këtë na e ka thënë i Dërguari (savs), duke dëshiruar që ne të shpëtojmë. Na ka thënë që në këtë rrugë të jemi të qëndrueshëm dhe se, nëse nuk kemi mundësi të japim asgjë si sadaka, le të jetë qoftë edhe gjysma e një hurme; le të jetë një buzëqeshje, një fjalë e mirë, butësi dhe dhembshuri. Kështu dëshmohet se i Dërguari (savs) është shembulli ynë. Ai, (savs), është shembull për atë i cili edhe me sjelljen e tij është vetë shembull.
Fqinji është i rëndësishëm për ne – këtë e kemi mësuar nga i Dërguari (savs). Sigurisht që në ligjëratat dhe këshillat e rebiul-evvelit kemi dëgjuar se i Dërguari (savs) këmbëngulte në këtë çështje, aq shumë, saqë kjo ishte aq e rëndësishme për të, saqë njerëzit përreth tij menduan se fqinji do të bëhej si djali, si vajza, si dikush që do të kishte të drejtë në trashëgimi.
Aishen, Allahu qoftë i kënaqur me të, e mësoi – e nëpërmjet saj edhe neve – se fqinj është edhe ai që nuk dëshmon shehadetin, se edhe atij duhet t’i japësh nga kurbani dhe se fqinj është çdo njeri deri te shtëpia e dyzetë nga shtëpia jote.
Çfarë kuptimi kanë për ne të gjitha hadithet që i kemi dëgjuar gjatë muajit të mevludit, çfarë kuptimi kanë të gjithë mevludet dhe programet e organizuara për nder të të Dërguarit (savs), nëse nuk flet me fqinjin, nëse nuk mirëkuptohesh me të, nëse nuk e ndihmoni njëri-tjetrin? Atëherë i Dërguari (savs), është shembull për ty vetëm në fjalët e tua, por jo edhe në sjelljen tënde.
Pasuesin e të Dërguarit (savs), atë që thotë se i Dërguari është shembulli i tij, e karakterizon cilësia që me fjalën e tij të mos e shqetësojë askënd. Ai e di se i Dërguari (savs) ka thënë se kush garanton për gjuhën e tij, për të ai, (savs), e garanton Xhenetin.
Me siguri ke dëgjuar se i Dërguari (savs) ka thënë: nëse beson në Allahun dhe Ditën e Gjykimit, atëherë fol vetëm atë që është e mirë, vetëm atë që është e dobishme, ose hesht.
Nëse i Dërguari (savs) është shembulli yt, atëherë edhe ti duhet të jesh shembull me sjelljen tënde.
I Dërguari (savs) i respektonte të moshuarit dhe na obligoi edhe neve që t’i respektojmë. Ndërsa ai, (savs), ishte i mëshirshëm dhe i kujdesshëm ndaj të rinjve dhe na obligoi edhe neve të jemi të tillë. Ai ka thënë – dhe gjatë muajit të mevludit jemi rikujtuar për këtë hadith – se ai që nuk i respekton të moshuarit dhe nuk është i mëshirshëm ndaj të rinjve, ndaj fëmijëve, ndaj të dobëtëve dhe të pambrojturve, nuk i përket pasuesve të tij. Kjo do të thotë se ai vetëm thotë se i Dërguari (savs) është shembulli i tij, por me sjelljen e tij nuk e vërteton këtë.
Nuk mjafton vetëm ta dëgjosh dhe të dish ta citosh një hadith të të Dërguarit (savs). Është e nevojshme, madje e domosdoshme, që, në mënyrë që ta dëshmojmë pohimin tonë se Muhamedi, (savs), është shembulli ynë, ta jetojmë atë që mësojmë dhe që edhe ne, me sjelljen tonë, të jemi shembull për të tjerët, si dhe të tregojmë kujdes ndaj nevojtarëve, të uriturve dhe të varfërve.
Besimtari, ai për të cilin i Dashuri i Allahut është shembull, nuk ngurron kur duhet ta ushqejë të uriturin dhe ta ndihmojë të varfrin. Sepse në botën tjetër, këtë na e ka thënë i Dërguari (savs), ata të uritur dhe të varfër do të jenë të zgjedhurit e Tij dhe ata që i kanë ushqyer, veshur dhe strehuar, do t’i marrin me vete në Xhenet.
Ji më i miri ndaj gruas sate! Ja, këtë gjithashtu na e ka thënë i Dërguari (savs), dhe ne gjatë muajit të mevludit e kemi dëgjuar këtë sa e sa herë.
Pasi i Dërguari (savs) erdhi dhe me shembullin e tij i edukoi njerëzit, nuk është e mundur që, nëse e duam të Dërguarin (savs), të ketë dhunë në familjen muslimane. Në familjen e besimtarit ka harmoni, mirëkuptim dhe dashuri. Kjo është familja që ndjek shembullin e dërguar nga Allahu i Madhërishëm dhe, për këtë arsye, edhe vetë bëhet shembull për të tjerët.
Martesa është gjysma e besimit, ka thënë i Dërguari (savs). Ajo është gjysma e besimit kur është e lumtur, kur në të jetohet duke ndjekur shembullin e të Dashurit të Allahut. Për një sjellje të tillë shembullore, për ndjekjen e të Dërguarit (savs) me vepra, fitohen dy Xhenete: Xheneti i kësaj bote dhe Xheneti i botës tjetër.
A do të ishte normale që, pas ditëve të rebiul-evvelit, në të cilat e kemi dëgjuar të Dërguarin (savs) të thotë se kënaqësia e Allahut është në kënaqësinë e prindërve tanë, në të cilat kemi dëgjuar se Xheneti është nën këmbët e nënave, në të cilat kemi dëgjuar se prindërit janë mundësia jonë për të gjetur strehë nën mëshirën e Allahut duke u shërbyer atyre – a do të ishte normale që mes nesh, muslimanëve, të ketë prindër të braktisur, të lënë pas dore nga fëmijët e tyre dhe të pikëlluar?
Çfarë dashurie do të ishte ajo ndaj të Dërguarit (savs), ndaj shembullit tonë, nëse ne me sjelljen tonë nuk jemi shembull për të tjerët? Çdo punë që bënte i Dërguari (savs), e bënte me përkushtim, në mënyrën më të mirë që dinte dhe mundte. Edhe neve na e mësoi këtë, duke na thënë se Allahu e do kur, nëse bëjmë diçka, ta bëjmë me përkushtim të plotë.
Sipërfaqësia nuk është cilësi e muslimanit. Kur muslimanit i besohet diçka, ai me siguri e përmbush atë, sepse e di se çfarë është amaneti. E di se përmbushja e amanetit është, në të njëjtën kohë, dëshmi e forcës së imanit tonë.
Muslimani është i ndershëm. Kur i besohet ta kryejë një punë, nuk ka nevojë ta kontrollosh, sepse ai e di se e kontrollon i Gjithëdijshmi. Muslimani është i drejtë, sepse e di se shenjë e pasuesit të të Dërguarit (savs) është që për të tjerët të dëshirojë atë që dëshiron për veten e tij, ndërsa të gjithë ne dëshirojmë që ndaj nesh të veprohet me drejtësi.
A është i Dërguari (savs) shembulli ynë? Kjo mund të shihet vetëm në veprat tona. Ai, (savs), është shembull për secilin që me sjelljen e tij bëhet shembull për të tjerët.
Taberaniu ka shënuar në El-Mu‘xhem se në Ditën e Gjykimit do të trajtohen tri lloje padrejtësish. E para është politeizmi, shirku, të cilin Allahu i Madhërishëm nuk do ta falë. Dëshmi për këtë është ajeti: “Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij.” (En-Nisa, 48). Llojin e dytë e përbëjnë padrejtësitë e ndryshme që njerëzit ia kanë bërë njëri-tjetrit dhe në këtë Allahu nuk do të ndërhyjë. Lloji i tretë janë padrejtësitë ndërmjet njeriut dhe Allahut të Lartësuar, të cilat Ai do t’ua falë atyre që pendohen sinqerisht.
Është e sigurt se në muajt që vijnë do të dëgjojmë më pak për të Dërguarin (savs). Nëse jemi pasuesit e tij, nëse e duam atë – dhe këtë e kemi pohuar gjatë rebiul-evvelit – atëherë çdo ditë do të përpiqemi ta dëshmojmë këtë dashuri, duke bërë që sjellja jonë të jetë shembullore, të jetë në përputhje me atë që na solli i Dërguari (savs)dhe që, duke e jetuar Sunetin, me hapa të sigurt të ecim drejt shoqërisë së të Dërguarit tonë të dashur, shembullit tonë.
O Allahu i Madhërishëm, na forco në këtë rrugë! Amin!
Hatib: Izet ef. Čamdžić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)






















