Connect with us

Kosovë

“Big Brother” në Aeroport? Sinjalizimet për monitorim i kamerave nga telefoni privat përplasin Doganën me Agjencinë për Privatësi

Publikuar

Një hulumtim i bazuar në dokumente, sinjalizime dhe dëshmi nga brenda Doganës së Kosovës ngre dyshime për një sistem të monitorimit që, sipas burimeve, mund të ketë tejkaluar kompetencat ligjore. Ndërsa Dogana e cilëson “aranzhimin e ri” si masë për llogaridhënie, Agjencia Privatësi ka deklaruar për Insajderin se çdo qasje në kamera përmes pajisjeve personale konsiderohet e paligjshme.

Sistemi i kamerave të sigurisë në pikat strategjike si Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, Pika Cargo dhe Posta Doganore, është vënë në qendër të pretendimeve për shkelje të privatësisë. Sipas informacioneve të siguruara nga redaksia, dyshohet se Drejtori Rajonal i Doganës për Prishtinën, Ardian Jashari, ka instaluar qasjen direkte në këto kamera në pajisjet e tij personale, përfshirë telefonin celular.

Sinjalizuesit pretendojnë se ky monitorim nuk po shfrytëzohet vetëm për sigurinë e objekteve, por si një mjet kontrolli individual mbi lëvizjet e zyrtarëve doganorë. Sipas këtyre dëshmive, zyrtarët dyshohet se gjurmohen gjatë orarit të punës, duke përfshirë edhe lëvizjet e tyre gjatë pushimeve zyrtare.

Dogana e Kosovës ka ofruar versionin e saj lidhur me këto pretendime.

Në një përgjigje zyrtare, institucioni që drejtohet nga Agron Lugaliu, ka konfirmuar se ka aranzhuar qasjen në sistemin CCTV, duke e lidhur këtë me një vendim të menaxhmentit të datës 16 shkurt 2026 për rritjen e llogaridhënies.

Megjithatë, Dogana ka mohuar që Jashari të ketë qasje përmes telefonit të tij personal.

“Pretendimi se udhëheqësi i rajonit të Prishtinës qaset nga telefoni personal, gjithashtu nuk qëndron. Dogana e Kosovës nuk ‘përgjon’ e as nuk merret me jetën private të askujt,” thuhet në përgjigjen e Doganës, ku shtohet se mbikëqyrja është detyrë ligjore bazuar në Nenin 277 të Kodit Doganor.

Në një përgjigje  për Insajderin, zëdhënësi Adriatik Stavileci ka thënë  se institucioni sapo ka filluar me zbatimin e një qasjeje të re në sistemin CCTV të Aeroportit, e cila është kërkuar në takimin e menaxhmentit të datës 16 shkurt 2026.

Sipas Doganës, ky vendim ka për qëllim forcimin e kontrollit për sigurinë kombëtare dhe rritjen e llogaridhënies.

Megjithatë, nga vetë përgjigjja e këtij institucioni del se qasja në sistemin e kamerave nuk është e kufizuar vetëm në një nivel të ngushtë teknik, por u është dhënë një numri më të madh zyrtarësh udhëheqës, në hapësira ku qarkullojnë çdo ditë qytetarë që hyjnë dhe dalin nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.

“Udhëheqësit e zyrave dhe udhëheqësit rajonalë (gradat OD4 dhe OD5) duhet të kenë qasje për të mundësuar përmirësimin e llogaridhënies. Së këndejmi, mbikëqyrja është detyrë ligjore, jo dëshirë apo çështje personale,” thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas tyre, Kodit Doganor i obligon ata të përdorin pamjet për të kontrolluar lëvizjen e mallrave dhe parandaluar kontrabandën.

“Në një ambient ku punojnë qindra njerëz, ne e kuptojmë se rritja e kontrollit dhe kërkimi i llogarisë për orarin apo disiplinën mund të shkaktojë pakënaqësi tek ndonjë individ,” deklaron Dogana, duke shtuar se monitorimi nuk përfshin toaletet apo hapësirat private dhe se misioni i tyre mbetet mbrojtja e kufirit, gjë që dëshmohet me “rezultate të larta në të gjitha fushat”.

Për të verifikuar ligjshmërinë e praktikave të tilla, redaksia i është drejtuar Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP). Përgjigjet e kësaj agjencie, që është autoriteti përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave personale, e vendosin rastin në një dritë tjetër ligjore.

Sipas interpretimit zyrtar të AIP-së “qasja përmes pajisjeve personale nuk është e ligjshme, sepse bie ndesh me parimin e sigurisë dhe konfidencialitetit të të dhënave.”

AIP mbi gjurmimin e punonjësve ka thënë se “gjurmimi i lëvizjeve dhe kontakteve të punonjësve përbën përpunim të paautorizuar të të dhënave personale”.

AIP thekson se monitorimi i hapësirave si tualetet është “absolutisht i ndaluar” dhe se incizimet mund të përdoren si provë vetëm në procedura disiplinore të rregullta dhe me qasje të kufizuar.

AIP ka bërë të ditur se, pas pranimit të këtyre informacioneve, do të realizojë një inspektim sipas detyrës zyrtare për të vërtetuar nëse sistemi i mbikëqyrjes po përdoret në përputhje me Ligjin Nr. 06/L-082.

Nëse inspektimi i AIP-së vërteton pretendimet e sinjalizuesve, Dogana mund të përballet me pasoja financiare të ngjashme me institucionet e tjera që janë ndëshkuar më parë.

Vlen të theksohet se AIP ka shqiptuar gjoba të rëndësishme për shkelje të privatësisë institucioneve publike e bizneseve private.

Më parë u dënua Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) me gjobë prej 20,000 euro për vëzhgim ilegal.

Kolegji Universum u ndëshkua me 8,000 euro për kamera në hapësira të ndaluara.

Institucione si AKI dhe Oda e Avokatëve po ashtu kanë qenë subjekt i gjobave administrative nga ky autoritet.

Deri më tani, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) nuk ka kthyer përgjigje lidhur me autorizimet teknike të këtij sistemi, që lidhen me kompetencat Agjencinë së Shoqërsië së Informacionit (AShI) nën dikasterin që udhëheq Xhelal Sveçla.

Deri në përfundimin e inspektimit nga AIP, mbetet e paqartë nëse “aranzhimi i ri” i Doganës do t’i mbijetojë testit të ligjshmërisë apo do të përfundojë si një tjetër rast i gjobitjes së institucioneve shtetërore për shkelje të privatësisë.

NA NDIQ NË FACEBOOK