Connect with us

Lajme

Astrit Iljazi: BDI kishte paratë dhe pushtetin, por bulevardin “Hasan Prishtina” nuk e ndërtoi

Publikuar

Këshilltari i VLEN-it në Këshillin e Qytetit të Shkupit, Astrit Iljazi, ka reaguar ndaj pretendimeve të BDI-së për bulevardin “Hasan Prishtina”, duke akuzuar partinë opozitare se po tenton ta paraqesë si sukses një projekt që, sipas tij, nuk e realizoi gjatë kohës që ishte në pushtet.

Iljazi thekson se në vitin 2023 në Qytetin e Shkupit janë transferuar 360 milionë denarë për këtë projekt, duke ngritur pyetjen pse bulevardi nuk u ndërtua nëse BDI kishte në dispozicion edhe paratë edhe pushtetin.

“BDI sot po përpiqet ta shpallë si sukses një projekt që vetë e la të parealizuar. Por dokumentet zyrtare janë më të forta se propaganda partiake”, shkruan Iljazi.

Sipas tij, edhe pretendimi për “8 milionë euro” paraqitet në mënyrë manipuluese, pasi bëhet fjalë për rreth 2 milionë euro të vitit 2021 për nyjën “Nikola Karev–Sllovenia” dhe rreth 6 milionë euro të transferuara në vitin 2023 për bulevardin “Hasan Prishtina”.

Iljazi i referohet edhe konstatimeve të Entit Shtetëror të Revizionit, duke theksuar se një pjesë e mjeteve për projekte infrastrukturore kishin mbetur të pashfrytëzuara në llogaritë e Qytetit të Shkupit.

“Për projektet përkatëse mungonin kontratat për realizim, ndërsa Revizionit nuk i ishin prezantuar dëshmi të mjaftueshme për gatishmërinë teknike dhe çështjet pronësore-juridike”, thekson ai.

Këshilltari i VLEN-it thotë se transferimi i mjeteve financiare nuk mund të konsiderohet i barabartë me realizimin e një projekti.

“Të transferosh para dhe të mos ndërtosh asgjë nuk është sukses. Të lësh miliona në llogari nuk është bulevard. Të vizatosh një rrugë në letër nuk është asfalt”, shprehet Iljazi.

Në fund, ai thotë se VLEN nuk do ta vazhdojë, siç e quan ai, “politikën e maketeve, konferencave dhe shiritave imagjinarë”, duke theksuar se qytetarët kanë nevojë për projekte konkrete që realizohen në terren.

Advertisement