Kulturë
Ansambli Shtetëror Shqiptar takohet me kryetarin e Nice, Éric Ciotti

Në kuadër të pjesëmarrjes në edicionin e 66-të të Festivalit Ndërkombëtar Folklorik “La Farandole” në Nice të Francës, delegacioni i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare të Maqedonisë së Veriut zhvilloi një takim zyrtar me kryetarin e qytetit të Nice, Éric Ciotti.
Në takim morën pjesë drejtori i Ansamblit, Jetmir Rexhepi, bashkëpunëtori për marrëdhënie ndërkombëtare Amir Mamuti, si dhe valltarët Bali Saliu dhe Majlinda Selmani.
Gjatë takimit, si shenjë respekti dhe miqësie, drejtori Rexhepi i dhuroi kryetarit Ciotti Plisin, simbol të identitetit dhe traditës shqiptare, si dhe logon zyrtare të Ansamblit.
Sipas Ansamblit, ky gjest simbolik përcjell mesazhin se kultura dhe arti janë ura që lidhin popujt dhe forcojnë miqësinë mes kombeve.
Pjesëmarrja në festivalin “La Farandole” shihet si një mundësi për promovimin ndërkombëtar të trashëgimisë kulturore shqiptare. Përmes këngëve, valleve dhe kostumeve tradicionale, Ansambli përfaqëson kulturën shqiptare të Maqedonisë së Veriut në skenën ndërkombëtare.
Ansambli e cilëson këtë pjesëmarrje dhe takimin me drejtuesit e qytetit të Nice si një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit kulturor ndërkombëtar dhe promovimin e identitetit shqiptar në Evropë.





















