Lajme
Adnan Azizi: UDB-ja synonte komprometimin e atyre që nuk mund t’i kontrollonte

Deputeti i VLEN, Adnan Azizi, ka reaguar për veprimtarinë e ish-shërbimit sekret jugosllav UDB, duke thënë se mekanizmi i saj nuk ishte i kufizuar vetëm në rekrutimin e bashkëpunëtorëve, por përfshinte edhe krijimin e dosjeve dhe materialeve komprometuese ndaj personave që nuk mund t’i kontrollonte.
Në një postim publik, Azizi thekson se UDB-ja kishte ndërtuar një mekanizëm të gjerë kontrolli, përmes të cilit rekrutonte persona që do t’i shërbenin, ndërsa ndaj atyre që i rezistonin ndikimit të saj, synonte të krijonte skandale dhe materiale komprometuese.
“UDB-ja nuk është marrë vetëm me rekrutimin e bashkëpunëtorëve. Ajo ka ndërtuar një mekanizëm të tërë kontrolli: rekrutonte njerëz që do t’i shërbenin, ndërsa ndaj atyre që nuk mund t’i kapte apo kontrollonte, përpiqej të krijonte dosje, skandale dhe materiale komprometuese”, shkruan Azizi.
Sipas tij, objektiv i veçantë ishin njerëzit dhe institucionet që i rezistonin ndikimit të këtij mekanizmi.
“Kjo ishte mënyra e vjetër e UDB-së: nëse nuk mund ta kontrollosh dikë, përpiqu ta komprometosh”, përfundon deputeti i VLEN-it.


















