Connect with us

Maqedoni

Ademi: 3 goditje në një ditë – Mbyllet paralelja në shqip, 9 shqiptarë nga 310 te pranuar në Akademi dhe glorifikohet krimineli i luftës Mlladiq

Publikuar

Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar përmes një statusi në Facebook, duke kritikuar ashpër koalicionin VLEN dhe zhvillimet e fundit që, sipas tij, prekin shqiptarët dhe parimin e barazisë, percjell ZYRTARE.net

Ademi rendit pesë raste që i cilëson si dëshmi të një qasjeje diskriminuese ndaj shqiptarëve.

Sipas tij, në shkollën “Petar Zdravkovski Penko” në Butel është mbyllur paralelja në gjuhën shqipe, pavarësisht interesimit të nxënësve shqiptarë, ndërsa në të njëjtën shkollë lejohen paralele me nga dy, katër apo gjashtë nxënës.

Ai ngre shqetësime edhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Akademinë Policore, duke pretenduar se nga 310 të pranuarit, vetëm nëntë janë shqiptarë.

Në reagimin e tij, Ademi kritikon gjithashtu partnerin serb të VLEN-it në Qeveri, të cilin e akuzon për glorifikim të Ratko Mlladiqit, të dënuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Ademi thotë se edhe drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve ka glorifikuar Mlladiqin, Draža Mihailovićin dhe figura të tjera të lidhura me të njëjtën ideologji, duke theksuar se ky drejtor është emëruar nga VLEN.

“Për ‘Botën Serbe’ tashmë nuk kemi nevojë për shpjegime. Po e shohim çdo ditë se sa larg ka depërtuar dhe sa shumë kontrollon”, shkruan Ademi.

Në fund, sekretari i përgjithshëm i BDI-së e akuzon VLEN-in për heshtje përballë këtyre zhvillimeve dhe e quan atë “marionetë”.

“Një ditë. Pesë dëshmi. Një përgjegjës. VLEN”, përfundon reagimin Arbër Ademi./ZYRTARE.net/

NA NDIQ NË FACEBOOK