Lajme
25 vjet nga Marrëveshja e Ohrit, Durmishi: Në emër të saj pati abuzime dhe interesa partiake

Me rastin e 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ministri Durmishi ka theksuar rëndësinë historike të kësaj marrëveshjeje për paqen, stabilitetin dhe avancimin e pozitës së shqiptarëve, duke porositur se ajo nuk duhet të trajtohet si pronë apo meritë e një partie apo individi.
Durmishi vlerëson se Marrëveshja Kornizë e Ohrit i dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe hapi një kapitull të ri të bashkëjetesës, por njëkohësisht rikujton se gjatë 25 viteve të kaluara, në emër të saj, janë bërë edhe abuzime për interesa partiake dhe personale.
“Gjenerata ime u rrit me shpresën që solli kjo marrëveshje. Por gjatë këtyre njëzet e pesë vjetëve pamë edhe se si, në emër të saj, u bënë abuzime dhe u realizuan interesa partiake e personale”, thekson Durmishi.
Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit është një arritje e përbashkët dhe përgjegjësi e të gjithëve është që ajo të ruhet dhe të avancohet.
“Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë e asnjë partie e as meritë personale e askujt. Ajo është një arritje e përbashkët, të cilën kemi përgjegjësi ta ruajmë dhe ta avancojmë”, shprehet ministri Durmishi.
Ai thekson se gjenerata e sotme nuk duhet të mjaftohet vetëm me përkujtimin e Marrëveshjes çdo 13 gusht, por duhet të punojë për ta çliruar atë nga përvetësimi partiak dhe për ta shndërruar frymën e saj në rezultate konkrete për qytetarët.
“Detyra jonë është ta çlirojmë nga përvetësimi partiak, ta ruajmë frymën e saj dhe ta çojmë përpara përmes punës dhe rezultateve që prekin jetën e çdo qytetari”, porosit Durmishi.
Në 25-vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ministri nderoi gjithashtu sakrificën dhe kontributin e të gjithë atyre që hapën rrugën drejt paqes, duke riafirmuar angazhimin për ndërtimin e një shoqërie ku çdo qytetar ndihet i respektuar, i përfaqësuar dhe i barabartë.
“Gëzuar 25-vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit!”, përfundon Durmishi.

















