Lajme
Vaksincasit i shprehin Mirënjohje për kontribut, zv.drejtorit të Doganave Mustafë Dautit

Banorët e fshatit Vaksincë të Komunës së Likovës, përmes faqes “Fshati Vaksincë”, kanë shprehur mirënjohje dhe falënderim publik për zv.drejtorin e Doganave të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Mustafë Dauti.
Në postimin e publikuar, banorët e Vaksincës e falënderojnë Dautin për kontributin dhe financimin e hapjes së bunarit për ujë të pijshëm në Shkollën Fillore të fshatit, si dhe për sigurimin e ujit për ujitjen e Varrezave të Dëshmorëve në Vaksincë.
“Me respekt dhe mirënjohje të thellë, shprehim falënderimet tona më të sinqerta për Zv. Drejtorin e Doganave të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Mustafë Dauti, për kontributin dhe financimin e hapjes së bunarit për ujë të pijshëm në Shkollën Fillore, si dhe për sigurimin e ujit për ujitjen e Varrezave të Dëshmorëve në fshatin Vaksincë”, thuhet në postim.
Një falënderim i veçantë është shprehur edhe për bashkëfshatarin Hamdi Alili dhe firmën “Murana” nga Tetova, për angazhimin, mbështetjen dhe punën profesionale gjatë hapjes së pusit.
Banorët kanë falënderuar gjithashtu edhe vëllezërit Zaim Alili dhe Hamdi Alili, të cilët, siç thuhet në postim, vazhdimisht kanë qenë pranë fshatit me kontributin dhe mbështetjen e tyre.
“Përkushtimi dhe bujaria e tyre janë shembull i dashurisë për vendlindjen dhe i shërbimit ndaj komunitetit. Zoti i shpërbleftë të gjithë për këtë vepër fisnike, duke ju dhuruar shëndet, mbarësi dhe suksese në çdo angazhim”, thuhet në fund të postimit.
Banorët e Vaksincës theksojnë se ky kontribut do të mbetet gjithmonë i vlerësuar dhe i paharruar nga komuniteti lokal.
















