Lajme
Tragjedi në Shkup: Djali dyshohet se vrau me thikë babanë pasi ai sulmoi nënën

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shkupin, ku një 31-vjeçar dyshohet se ka vrarë babanë e tij 52-vjeçar, pasi ky i fundit, sipas policisë, kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij në banesën familjare.
Sipas informacioneve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 12 korrikut, rreth orës 22:35, në zonën që mbulon Stacioni Policor “Bit Pazar”. Viktima, E.L. (52), i cili sipas denoncimit ishte nën ndikimin e alkoolit, fillimisht ka sulmuar fizikisht gruan e tij 54-vjeçare.
Në përpjekje për ta mbrojtur nënën, djali i tyre, B.Xh. (31), dyshohet se e ka goditur babanë me thikë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
I dyshuari është arrestuar nga policia rreth orës 23:00, ndërsa 54-vjeçarja është transportuar në Spitalin “Shën Naumi i Ohrit”, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion. Pas zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit, ndaj 31-vjeçarit do të ngrihet kallëzimi përkatës penal.
















