Religjion
Stolitë e kësaj bote zhduken, ndërsa veprat e mira janë të përjetshme

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (savs), mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Allahu i Lartësuar thotë: “Por, kur të vijë Ushtima, – atë Ditë njeriu do të ikë nga i vëllai, – nga e ëma dhe nga i ati, – nga shoqja dhe nga fëmijët e vet. – Atë Ditë, secili prej tyre do të ketë aq shqetësim për veten, sa do t’i mjaftojë. – Atë Ditë do të ketë fytyra rrëzëllore, – të qeshura e të gëzuara. – Atë Ditë do të ketë (edhe) fytyra të pluhurosura, – që do t’i mbulojë errësira. – Këta janë jobesimtarët, gjynahqarët.” (Abese, 33–42).
Vëllezër të nderuar! – Fjalët e Allahut: “Por, kur të vijë Ushtima” na kujtojnë një nga emrat e Ditës së Gjykimit. Ibni Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) thotë se “Ushtima” është një prej emrave të Kiametit. Disa dijetarë të tefsirit kanë thënë se ky është zëri i Surit me të cilin do të shpallet fillimi i Ditës së Gjykimit. Ndërsa imam Begaviu thotë se bëhet fjalë për një ushtimë aq të fuqishme, saqë do t’i shurdhojë ata që e dëgjojnë.
Pastaj Allahu i Madhëruar e përshkruan një nga skenat më tronditëse të asaj Dite: “Atë Ditë njeriu do të ikë nga i vëllai, – nga e ëma dhe nga i ati, – nga shoqja dhe nga fëmijët e vet.”
Njeriu do t’i shohë të gjithë këta njerëz që i ka dashur më së shumti në jetën e kësaj bote, por megjithatë do të largohet prej tyre. Jo për shkak të urrejtjes, por për shkak të tmerrit të asaj Dite. Frika do të jetë aq e madhe dhe gjendja aq serioze, saqë secili do të mendojë vetëm për shpëtimin e vet. Ikrime transmeton se njeriu do ta takojë bashkëshorten e vet dhe do t’i thotë: – O gruaja ime, si kam qenë ndaj teje? Ajo do t’i përgjigjet: – Ke qenë bashkëshort i mirë. Do ta lavdërojë sa të mundet. Atëherë ai do t’i thotë: – Sot po kërkoj prej teje vetëm një vepër të mirë, që të shpëtoj. Por ajo do t’i përgjigjet: – Ajo që po kërkon është pak, por unë nuk mund të ta jap, sepse kam frikë nga e njëjta gjë prej së cilës frikësohesh edhe ti. Pastaj njeriu do ta takojë djalin e vet dhe do t’i thotë: – O biri im, si kam qenë si baba për ty? Ai do ta lavdërojë dhe do të dëshmojë për mirësinë e tij. Pastaj babai do t’i kërkojë: – Më jep vetëm një vepër të mirë, qoftë edhe sa një kokërr sinapi, që të shpëtoj nga ajo që po sheh. Kurse djali do t’i thotë: – O babai im, ajo që po më kërkon është shumë pak, por unë kam frikë nga e njëjta gjë që ke frikë edhe ti, prandaj nuk mund të të jap asgjë. Prandaj Allahu i Lartësuar thotë: – Atë Ditë, secili prej tyre do të ketë aq shqetësim për veten, sa do t’i mjaftojë.
Të nderuar besimtarë! – Është e lehtë të vërehet se Allahu nuk thotë se disa njerëz do të kujdesen për veten e tyre, por se secili prej tyre do të jetë i preokupuar vetëm me veten. Kjo njohuri duhet të na nxisë që qysh sot, pa vonesë, të kujdesemi për shpëtimin tonë.
Allahu i Madhëruar na thërret: “O besimtarë! Ju keni përgjegjësi vetëm për veten tuaj! Ai që është i humbur nuk mund t’ju dëmtojë, nëse jeni në rrugë të drejtë. Tek Allahu do të ktheheni të gjithë e do t’ju lajmërojë për atë që keni punuar.” (el-Maide, 105).
Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut (savs) ka thënë: “Çuditem me njeriun që e di se do të vdesë, por nuk përgatitet për vdekjen.” Allahu i Lartësuar thotë: “Vdekja prej së cilës po ikni, do t’ju arrijë. Pastaj, ju do të ktheheni tek Ai, i Cili e di të padukshmen dhe të dukshmen dhe Ai do t’ju njoftojë për atë që keni bërë.” (el-Xhumua, 8).
I Dërguari i Allahut (savs) tha gjithashtu: “Çuditem me atë që e di për zjarrin e Xhehenemit, e megjithatë është i pakujdesshëm.” Ne jemi të detyruar të përpiqemi dhe të luftojmë kundër vetvetes, që të shpëtojmë nga zjarri i Xhehenemit. Njeriu mund të mos kujdeset për veten e tij dhe të mos përpiqet për shpëtimin e saj, por atëherë le të mos e fajësojë askënd tjetër për dështimin e vet.
Për ata që ngurrojnë dhe mbeten prapa, Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që mbetën në shtëpitë e tyre, pas (daljes për luftë të) të Dërguarit të Allahut, u gëzuan; nuk u pëlqente të luftonin në rrugën e Allahut me pasurinë dhe jetën e tyre dhe thanë: “Mos shkoni në luftë, nëpër vapë!” Thuaju: “Zjarri i Xhehenemit është edhe më i nxehtë!” Veç sikur të kuptonin!” (et-Teube, 81).
Pastaj Pejgamberi (savs) tha: “Çuditem me atë që e sheh paqëndrueshmërinë dhe ndryshueshmërinë e kësaj bote, por megjithatë gjen qetësi në të.” Allahu i Madhëruar, pasi përmend në suren el-Kehf shembullin e dy njerëzve, njërit mirënjohës dhe tjetrit mohues ndaj mirësive të Allahut, thotë: “Jepu atyre shembullin e jetës së kësaj bote: ajo është si uji që Ne e lëshojmë nga qielli; bimësia në tokë përzihet me të, por pastaj bëhet si bari i thatë të cilin e shpërndan era. Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë!” (el-Kehf, 45).
Të gjithë ne e dimë se zbukurimet e kësaj bote kalojnë dhe zhduken; pasuria, fama, pushteti dhe bukuria nuk zgjasin përgjithmonë. Prandaj Allahu i Lartësuar thotë: “… Por veprat e mira që mbeten përherë, janë më të mira te Zoti yt sa i përket shpërblimit dhe, janë më të mira sa i përket shpresës (për shpëtim).” (el-Kehf, 46).
Vëllezër të dashur! – Kjo është e vërteta e madhe: stolitë e kësaj bote zhduken, ndërsa veprat e mira mbeten. Ajo që e shoqëron njeriun në varr nuk është pasuria e tij, por namazi i tij; nuk është shtëpia e tij, por sadakaja e tij; nuk janë gradat e tij, por devotshmëria e tij.
I Dërguari i Allahut (savs) tha: “Çuditem me atë njeri që është i bindur se do të japë llogari, por nuk punon vepra të mira.” Kur i dëgjoi këto fjalë, Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të) e pyeti të Dërguarin (savs): – O i Dërguar i Allahut, më këshillo! Më trego çfarë të bëj që të shpëtoj! Pejgamberi (savs) iu përgjigj: – “Ki frikë Allahun. Lexoje Kuranin. Përmende Allahun dhe jeto me vetëdijen se Ai të sheh gjithmonë. Mos e humb kohën kot, por kërko rastet për të bërë mirë. Lufto në rrugën e Allahut. Ndihmo të varfrit. Në çështjet e kësaj bote shiko ata që kanë më pak se ti, ndërsa në vepra të mira shiko ata që janë më të mirë se ti. Dhe le të të pengojë vetëdija për mangësitë e tua që të merresh me mangësitë e të tjerëve.”
Prandaj, vëllezër të nderuar, le të kujdesemi për veten tonë! Pejgamberi (savs) na nxit fuqishëm me këto fjalë: “Nuk lind asnjë ditë e re pa thënë: ‘Unë jam një ditë e re dhe një krijesë e re e Allahut. Shtoji veprat e mira në mua, sepse nuk do të kthehem më deri në Ditën e Gjykimit.’”
Le të përpiqemi që në këtë botë të grumbullojmë sa më shumë vepra të mira, që në Ditën e Gjykimit të jemi të qetë dhe të sigurt.
Ndoshta pikërisht sot do ta bëjmë një vepër që do të peshojë më shumë se shumë të tjera në peshoren tonë. Ndoshta një sadaka, një namaz me përkushtim, një fjalë e mirë, një pajtim mes njerëzve, një lot pendimi apo një ndihmë për dikë në nevojë do të jetë shkaku i shpëtimit tonë. Prandaj, të mos jemi dembelë dhe të mos sillemi me papërgjegjësi ndaj vetvetes.
O Allahu i Madhëruar, na ndihmo të kujdesemi për veten tonë, na mundëso të bëjmë vepra të mira të cilat mbeten dhe na bëj prej atyre fytyrave që në Ditën e Gjykimit do të jenë të ndritshme, të buzëqeshura dhe të gëzuara! Amin!
Hatib: Izet ef. Čamdžić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)





















