Shqipëri
Spaho: Protesta po jep shpirt, PD po shkon drejt vetëeliminimit politik

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Edmond Spaho, në një lidhje direkte për ‘Sot, Live në Shqipëri’ në Report Tv, tha se protesta që prej 44 ditësh ka zënë vend në Tiranë, po jep shpirt, e q më tepër të pretendojë për të sjellë ndryshim.
“Protesta ka arritur te pika e nostalgjisë për të shkuarën. Filloi i një protestë e fuqishme, por sot po jep shpirt. Opinioni është i qartë që me një protestë të dimensioneve të tilla, asgjë nuk ndryshon”, tha Spaho.
Spaho komentoi dhe përfshirjen e PD në protestë si dhe strategjinë e bojkotit të seancave plenare, si një metodë e opozitës për t’iu shmangur përgjegjësisë dhe detyrës.
“Është në natyrën e PD që kur nuk ka mjete të tjera për të qenë prezent në politikë, kur nuk ka aftësi të përballet me sfidat, zgjedh rrugën e bojkotit. Më habit paaftësia për të mos mësuar nga e shkuara. Nuk di nëse ka një forcë politike në Ballkanin Perëndimor që të jetë djegur kaq shumë nga bojkoti. Vazhdon me kokëfortësi në të njëjtën rrugë. Kjo është arma strategjike e Sali Berishës, nuk di tjetër. PD po vrapon drejt eliminimit të saj fizik”, tha Spaho.
Ish-deputeti tha se vendin në pushtet kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, ia garanton Partia Demokratike me komoditetin që ka në të qenurit opozitë.
“Edi Ramën e mban në pushtet PD dhe Berisha. Se janë mësuar komod me këtë situatë. U pëlqen të qëndrojnë në opozitë. Edhe pas 14 vitesh që kemi dalë në opozitë, nuk shoh asnjë lëvizje serioze në këtë parti që të reformohet, të ndryshojë, të jetë aktive në terren dhe të krijojnë kushte që në zgjedhjet e ardhshme të fitojë”, tha Spaho.
Edmond Spaho u shpreh se protestat e sidomos aktet e dhunës, janë gabimet më të mëdha strategjike që PD ka bërë në politikë, duke i cilësuar këto si mekanizma që i përkasin prirjeve të majta ekstremiste.
“Aty në protestë tani kanë ngelur ata të PD dhe PD ndihet komode. Nuk ballafaqon platformat dhe idetë, përplaset në rrugë. Rruga nuk është zgjidhje, aq më tepër të djathtat. Nuk është molotovi mekanizmi me të cilin vihet në pushtet. Revolucioni e molotovi janë mekanizma të të majtës ekstreme. Gabim i rëndë strategjik i PD”, tha Spaho.
Spaho u shpreh se zgjedhjet e brendshme në PD që do të mbahen më 15 korrik, do të prodhojnë po të njëjtën farsë, duke nisur nga zgjedhja e kryetarit të PD dhe te anëtarësit e Këshillit.
“Ju patë farsë që rezultoi me zgjedhjen e kryetarit ,e me këshillin kombëtar, me kryesinë. Gjërat janë paracaktuar. Do të ikë dikush do ia zërë vendin dikush tjetër, gjoja po rinovohemi. I njëjti ujë i qelbur”, tha ai.
Ndër të tjera, Spaho tha se Partia Demokratike ka nevojë për reformim të thellë, për largimin e figurave të vjetra dhe ardhjen e të tjerë personazheve politikë, për ndryshim strategjik e platformë e re.






















