Lajme
Qeveria miraton vendimin për tokën shtetërore, Elmazi: Hapet rruga për ndërtimin e çerdhes në Sfillare të Poshtme

Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, ka njoftuar se Qeveria ka miratuar vendimin për dhënien në shfrytëzim të përhershëm të tokës shtetërore Komunës së Sarajit, duke i hapur rrugë realizimit të një projekti të rëndësishëm për banorët e komunës.
Sipas Elmazit, me këtë vendim janë tejkaluar, brenda një afati rekord, të gjitha pengesat administrative që për vite me radhë kishin bllokuar projektin.
Ai theksoi se tashmë janë krijuar kushtet për fillimin e ndërtimit të çerdhes së re në Sfillare të Poshtme, një investim që pritet të përmirësojë kushtet për fëmijët dhe familjet e këtij vendbanimi.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve për fëmijët dhe familjet e Sfillares së Poshtme, si dhe një dëshmi se me përkushtim dhe vullnet projektet e bllokuara prej vitesh mund të bëhen realitet”, ka shkruar Elmazi në njoftimin e tij.
















