Lajme
Mustafa Dauti: Po zgjerojmë sistemin “One Stop Shop” në të gjitha pikat kufitare me Shqipërinë

Zëvendësdrejtori i Doganave, Mustafa Dauti, ka njoftuar se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po intensifikojnë bashkëpunimin për zbatimin e sistemit **”One Stop Shop”** në të gjitha pikat e përbashkëta kufitare, me qëllim lehtësimin e qarkullimit dhe modernizimin e procedurave doganore.
Sipas Dautit, në kuadër të këtij procesi, në Maqedoninë e Veriut u mirëprit Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Republikës së Shqipërisë, Besmir Beja, me të cilin u zhvilluan bisedime për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy administratave doganore.
“Në fokus të takimit ishte zbatimi i sistemit ‘One Stop Shop’ në të gjitha pikat e përbashkëta kufitare. Po ndërmarrim hapa konkretë për shtrirjen e këtij sistemi, i cili do të mundësojë procedura më të shpejta, ulje të kohës së pritjes, lehtësim të qarkullimit të qytetarëve dhe rritje të efikasitetit të kontrolleve kufitare”, theksoi Dauti.
Ai vlerësoi se ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të procedurave doganore, forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe krijimit të një kufiri më efikas, më të sigurt dhe më funksional, në përputhje me standardet evropiane.
Dauti shprehu gjithashtu mirënjohje për Misionin e OSBE-së për organizimin e takimit dhe mbështetjen e vazhdueshme në avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe reformimin e administratave doganore, duke u shprehur i bindur se projekti do të realizohet me sukses falë përkushtimit të përbashkët.














