Lajme
MPB: Mbi 180 pemë të rrëzuara, 117 automjete dhe 35 çati të dëmtuara nga stuhia në Shkup

Stuhia e fuqishme që përfshiu pjesën më të madhe të Maqedonisë së Veriut ka lënë pasoja të shumta, ndërsa zyrtarët policorë, së bashku me institucionet e tjera kompetente, ndodhen në terren duke punuar për sanimin e dëmeve dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve, raporton Zyrtare.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se policia po vepron për të gjitha denoncimet që lidhen me pasojat e motit të lig, duke ndërmarrë masa për zhvillimin normal të trafikut dhe funksionimin e shërbimeve publike.
Pasojat më të mëdha janë regjistruar në zonën e SPB Shkup. Sipas të dhënave të MPB-së, deri në orën 22:00 janë evidentuar 117 automjete të dëmtuara, 35 çati të dëmtuara, 189 pemë të rrëzuara, 7 semaforë të dëmtuar, 5 zjarre dhe 10 persona të lënduar.
Stuhia ka shkaktuar dëme edhe në disa objekte me rëndësi jetike, përfshirë objektet e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, kompleksin “Vila Vodno”, bazën policore të Aeroportit në Petrovec, objektin “Nova Makedonija”, si dhe ndërtesat e Ministrisë së Financave, Ministrisë së Bujqësisë dhe Prokurorisë Publike.
Pasoja janë raportuar edhe në qytete të tjera. Në zonën e SPB Kumanovë janë regjistruar 9 automjete të dëmtuara dhe 3 çati të dëmtuara, ndërsa në SPB Tetovë janë evidentuar 5 raste – 3 dëmtime të automjeteve dhe 2 dëmtime të konstruksioneve të çative.
Në Gostivar nuk janë raportuar dëme materiale apo persona të lënduar. Në Veles janë paraqitur dy raste të dëmtimit të automjeteve si pasojë e rënies së pemëve, ndërsa në Strumicë janë rrëzuar shtylla elektrike në fshatrat Dobroshincë dhe Gradoshorcë, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në Svidovicë.
Në Shtip janë regjistruar 14 automjete të dëmtuara dhe 6 çati të dëmtuara.
MPB njofton gjithashtu se në Pikën Kufitare Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit është regjistruar rrjedhje e ujit nga çatia, për shkak të së cilës dalja nga shteti është ndërprerë për rreth një orë e gjysmë.
Dëme janë regjistruar edhe në Qendrën Transitore Tabanoc, ku janë dëmtuar një pjesë e objekteve të përkohshme për strehimin e migrantëve, ndërsa janë evidentuar edhe pemë të rrëzuara, pa shkaktuar dëme më të mëdha materiale./ZYRTARE.net
















