Connect with us

Lajme

Ministria e Mjedisit jep 25 mijë euro për larjen e veturave, fiton kompania që ishte përjashtuar për dokumente të falsifikuara që ka aktivitet primar tregtinë me drunj

Publikuar

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka dhënë një kontratë në vlerë prej 25 mijë eurosh për pastrimin e veturave zyrtare. Tenderi i është dhënë kompanisë “AJANI & ADAMI SH.P.K.”, e cila ishte futur në Listën e Zezë të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), pasi ishte konstatuar se kishte paraqitur dokumente të falsifikuara në një tender të Policisë së Kosovës.

Më 9 korrik 2026, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës njoftoi se operatori ekonomik “AJANI & ADAMI SH.P.K.” është përzgjedhur fitues i tenderit për ofrimin e shërbimeve të pastrimit të automjeteve zyrtare.

Sipas dosjes së tenderit, shërbimet do të kryhen në lokacionin e operatorit ekonomik fitues, në përputhje me kërkesat dhe nevojat e ministrisë.

Kontrata parasheh larjen e automjeteve, pastrimin e plotë të tyre, dezinfektimin me avull, si dhe shërbime të tjera të mirëmbajtjes së flotës zyrtare.

Marrëveshja do të jetë e vlefshme për një periudhë trevjeçare, ndërsa shërbimet do të realizohen sipas nevojave të ministrisë.

Pastrimi i jashtëm i veturës. Ofrimi i shërbimeve për larjen dhe pastrimin e pjesës së jashtme të veturës, duke përfshirë karoserinë, xhamat, fellnet dhe gomat, me përdorimin e mjeteve dhe preparateve profesionale të përshtatshme për mirëmbajtjen e automjetit. Pastrimi i jashtëm i veturës  XHIP  SUV – Ofrimi i shërbimeve për larjen dhe pastrimin e pjesës së jashtme të veturës, duke përfshirë karoserinë, xhamat, fellnet dhe gomat, me përdorimin e mjeteve dhe preparateve profesionale të përshtatshme për mirëmbajtjen e automjetit”, thuhet në njoftim.

Kompania ka fituar një sërë kontratash gjatë pushtetit të Kurtit

“AJANI & ADAMI SH.P.K.” është një kompani që ndër vite ka siguruar kontrata të shumta nga institucionet publike.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, aktiviteti primar i saj figuron të jetë “tregtia me shumicë e drunjve”.

Megjithatë, kjo nuk e ka penguar kompaninë të fitojë tenderë në institucione të ndryshme shtetërore.

Në platformën e-prokurimit “AJANI & ADAMI”, figuron se ka disa kontrata që janë në realizim me disa institucione, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Industrisë, shkruan Insajderi.

Po ashtu, në vitin 2023, Zyra e Kryeministrit kishte lidhur kontratë me këtë kompani për pastrimin e automjeteve zyrtare.

“AJANI & ADAMI” ka lidhur edhe dy kontrata me Policinë e Kosovës, ndonëse më pas përfundoi në Listën e Zezë të OSHP-së pikërisht për shkak të një rasti që lidhej me një aktivitet prokurimi të Policisë.

Si përfundoi kompania në Listën e Zezë të OSHP-së?

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), i njohur si “Gjykata e Tenderëve”, në vitin 2024 vendosi në Listën e Zezë konsorciumin “Top Soft Papers” dhe “AJANI & ADAMI”.

Sipas vendimit, konsorciumi dyshohej se kishte paraqitur dokumente të falsifikuara gjatë ofertimit në një tender të Policisë së Kosovës për furnizim me material higjienik, me vlerë të parashikuar rreth 150 mijë euro.

Tenderi ishte pezulluar pas ankesës së një operatori ekonomik dhe më pas ishte anuluar. OSHP kishte konstatuar se grupi i operatorëve ekonomikë kishte përdorur etiketa produktesh pa pëlqimin e kompanisë “PMK Inxhiniering”.

Këto pretendime ishin mohuar nga “AJANI & ADAMI” dhe “Top Soft Papers”, të cilat kishin deklaruar se prodhuesi kishte qenë nën presion nga operatorë të tjerë ekonomikë kur kishte dhënë deklarimet e tij.

Pavarësisht këtij historiku, kompania ka vazhduar të fitojë kontrata nga institucionet publike, ndërsa tashmë i është besuar edhe mirëmbajtja dhe pastrimi i flotës së automjeteve të Ministrisë së Mjedisit në një kontratë trevjeçare me vlerë 25 mijë euro.

NA NDIQ NË FACEBOOK