Religjion
Mbjellja e luleve pranë varrit

Pyetje:
A lejohet të mbillen lule pranë varrit të një personi të ndjerë? Nëna ime ka ndërruar jetë para disa ditësh dhe kam dëshirë të mbjell një trëndafil të bardhë pranë varrit të saj.
Përgjigje:
Mbjellja e luleve pranë varrit nuk ka qenë pjesë e traditës sonë të zakonshme islame, megjithatë nuk ekziston ndonjë argument i qartë në burimet islame që e ndalon një veprim të tillë.
Madje, kjo mund të mbështetet në një hadith autentik, ku transmetohet se i Dërguari i Allahut, Muhammedi alejhis-selam vendosi dy degë të njoma hurme mbi dy varre dhe tha se shpresonte që Allahu t’ua lehtësonte dënimin banorëve të atyre varreve derisa ato degë të thaheshin.
Sigurisht, veprimi i të Dërguarit të Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, nuk mund të krahasohet plotësisht me veprimet e njerëzve të tjerë. Megjithatë, ky hadith tregon se vendosja e një bime të gjallë pranë varrit nuk është e ndaluar në vetvete.
Duhet theksuar se mbjellja e luleve nuk është sunet i veçantë dhe nuk duhet të shihet si një vepër që i sjell dobi të drejtpërdrejtë të ndjerit. Ajo mund të bëhet si shenjë kujtimi, respekti dhe përkujdesjeje për varrin, pa u shoqëruar me besime të pabazuara fetarisht.
Ajo që i sjell dobi më të madhe të ndjerit është lutja për të, kërkimi i faljes nga Allahu për të, dhënia e sadakasë në emrin e personit dhe veprat e tjera të mira që janë të mbështetura në mësimet e Islamit.
Allahu e di më së miri.
Burimi: Islam.ba
(Islampress.ch)






















