Connect with us

Lajme

Limani: Analizat e deritanishme tregojnë se uji është brenda normave, ndalimi për përdorim mbetet në fuqi deri në rezultatet zyrtare

Publikuar

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar rreth cilësisë së ujit të pijshëm, duke bërë thirrje që qytetarët të respektojnë ndalimin e përkohshëm të përdorimit të ujit për pije dhe përgatitjen e ushqimit deri në publikimin e rezultateve zyrtare.

Sipas Limanit, analizat e rregullta të kryera nga NP “Komunalec” kanë treguar deri më tani se parametrat e ujit kanë qenë brenda vlerave të lejuara me ligj. Ai theksoi se pas denoncimit, Prokuroria Publike, policia dhe institucionet kompetente kanë kryer kontrolle shtesë dhe kanë marrë mostra të reja për analiza laboratorike.

Kryetari i Gostivarit sqaroi se ndalimi i përkohshëm është vendosur me rekomandim të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe ka karakter parandalues, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

Duke iu referuar pretendimeve për përzierje të ujërave të zeza me ujin e pijshëm, Limani tha se, sipas informacioneve nga NP “Komunalec”, në lokacionin e përmendur nuk ekziston rrjet kanalizimi. Megjithatë, ai nënvizoi se të gjitha pretendimet do të verifikohen nga institucionet kompetente, të cilat do të japin vlerësimin përfundimtar.

Ai shtoi se aktualisht nuk ka asnjë dëshmi zyrtare mjekësore apo laboratorike që shqetësimet e raportuara në lukth të jenë shkaktuar nga uji i ujësjellësit të qytetit, duke theksuar se shkaku duhet të përcaktohet në mënyrë profesionale dhe mbi bazën e analizave përkatëse.

Limani bëri të ditur se Komuna e Gostivarit është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet kompetente dhe se rezultatet zyrtare do të publikohen menjëherë sapo të jenë në dispozicion.

Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë, të respektojnë ndalimin e përkohshëm dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare, duke theksuar se shëndeti i qytetarëve mbetet prioriteti kryesor i institucioneve.

NA NDIQ NË FACEBOOK